Kur 10 muaj më parë, koloneli Assimi Goita mori pushtetin duke arrestuar presidentin e zgjedhur të vendit, të zgjedhur nga populli, asnjë nuk u revoltua. Kjo, sepse pushteti i presidentit të shtetit afrikan të Malit, Boubacar Keita, u tregua tejet i korruptuar dhe antidemokratik.

Kështu, në logjikën e një vendi të madh dy herë sa Franca por edhe një nga më të varfrit në botë, i mbërthyer nga shkretëtira e Saharasë dhe dëshira e popujve për pavarësi, si populli Tuareg, vendimi i gjeneralit për grusht shteti u duke një akt shpresëdhënës.

Por, me sa duket, gjenerali ka filluar ta ketë si ves ndërrimin e pushtetit me forcë. Këtë javë ai arrestoi presidentin Bah Ndaw dhe kryeministrin Moctar Ouane, që ishin rezultati i një ndërmjetësimi të gjatë të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të ECOWAS, organizata që përfshin në një komunitet ekonomik vendet e Afrikës Perëndimore.

Por ndërkohë që Keita ishte i urryer nga pjesa më e madhe e popullsisë, Ndaw dhe Oune kishin filluar programe ambicioze që do të çonin drejt transicionit demokratik ish-koloninë franceze me më shumë se 20 milionë banorë.

Grushti i shtetit thyen qëndrueshmërinë që i duhej vendit që ndodhet në krizë ekonomike të tejskajshme, i lodhur edhe nga prania pothuajse “endemike” e grupeve radikale të lidhura me ISIS.

Prej vitesh trupa europiane, veçanërisht franceze, ndodhen në vend për të kontrolluar situatën, dhe trazirat e fundit mund ta bëjnë të pamundur aktivitetin e tyre kundër terrorit. Për këtë arsye, reagimi i BE-së ndaj grushtit të shtetit ka qenë i ashpër, duke paralajmëruar sanksione ndaj regjimit ushtarak.