Nga Ilir Mborja

Në fillim të gushtit të këtij viti që po mbaron, Akademia e Shkencave të Shqipërisë në faqen e vet zyrtare (www.akad.gov.al) jepte këtë njoftim:  

«Një libër i ri sapo ka hyrë në kolanën e botimeve të Akademisë së Shkencave.   

«Nyjat në gjuhën shqipe: diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: prokliza binare dhe enkliza shquese» i gjuhëtarit të njohur Aristotel Spiro sapo ka dalë në dritën e botimit.   

Ky libër është vlerësuar nga recensentët Gjovalin Shkurtaj dhe Ethem Likaj për vlerat mirëfilli shkencore dhe prurjet konkrete falë hulumtimeve të kujdesshme e të ngjeshura dhe për shqyrtimet e gjera e të arsyetuara për nyjat e gjuhës shqipe.   

Studimi i Aristotel Spiros është një përpjekje e re për të ndriçuar thelbin e burimit të nyjave dhe anë të veçanta të tij.   

Autori ka ndjekur kryesisht metodën strukturore funksionale, të mbështetur edhe me elemente të metodës historike-krahasuese dhe asaj kontrastive.     

Studimi mbështetet në njohje mjaft të mirë teorike, falë një literature të gjerë të shfrytëzuar dhe të cituar dhe si i tillë do të jetë një ndihmesë e mirë në punimet gjuhësore historike.     

Nyjat përbëjnë një nga kategoritë kryesore e më të rëndësishme të gramatikës së gjuhës shqipe. Si në planin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik, ato paraqiten si kategoria më e diskutueshme e gramatikës së saj.     

Shfaqja e tyre pati pasoja të thella për gjithë strukturën e saj gramatikore. Nyjat e shqipes kanë qenë disa herë objekt qendror studimi i studiuesve shqiptarë dhe të huaj (H. Pedersen, M. La Piana, N. Mjeda, E. Çabej, S. Riza, Sh. Demiraj, E. Likaj, M. Çeliku, B. Bokshi, K. Topalli, M. Samara, C. Tagliavini, V. Pisani, A. Androutsopoulou, J. Trommer, H. Campos, I. Giurgea etj. etj.).     

Libri paraqet në një pamje të gjerë e të plotë gjithçka është shkruar e pohuar për nyjat në studimet e derisotme, duke synuar që, ndërkaq edhe të saktësojë e të sjellë shqyrtime të reja, ndonjëherë edhe duke i parë në një dritë të ndryshme ato që ishin shkruar e botuar më parë.     

Pas trajtimeve kushtuar nyjave të shqipes në librat «Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe» dhe, sidomos, të kreut «Problemi i nyjave të shqipes» në veprën madhore të Shaban Demirajt «Gramatikë historike e gjuhës shqipe»,1986, f. 297-357, mund të mendohej se problemi i nyjave të shqipes ishte shqyrtuar e hulumtuar shterueshëm. Por, mbas një vargu artikujsh të shkruar në rrjedhë të viteve për këtë tematikë, Aristotel Spiro na vjen me një monografi të gjerë që rrok përmasat e 505 faqeve.    

Autori ka zgjeruar problematikën e studimit diakronik e sinkronik për të dy llojet e nyjave, duke u përpjekur t’u japë zgjidhje një sërë problemeve themelore që kanë mbetur të hapura deri më sot në gjuhësinë shqiptare.    

Pavarësisht nga shqyrtimet e mëparshme në planin diakronik, anët e errëta janë të shumta, për shkak të dokumentimit relativisht të vonë të shqipes, prandaj ishte punë e arsyeshme që, krahas metodës deduktive, gjatë studimit diakronik të nyjave të merret parasysh edhe gjendja e sotme gramatikore, po ashtu edhe gjendja që ekziston ndër dialektet e gjalla të shqipes, si brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe nëpër treva të tjera shqipfolëse e ishuj dialektorë të shqipes nëpër botë, duke menduar me të drejtë që gjendja e sotme e tyre mund të ndriçojë anë të errëta zhvillimesh më të hershme historike.    

«Kali i betejës» së autorit në këtë monografi është synimi i tij për të argumentuar se: «Historia e prapavendosjes së nyjave shquese në shqipe është njëkohësisht edhe historia e lindjes së tyre. Nyjat e përparme paraqesin një simetri të plotë përdorimi e përndarjeje. Përkundrazi, nyjat e prapme janë më heterogjene përsa i përket origjinës së tyre në krejt sistemin rasor (khs. nyjat e prapme shquese në rasën kallëzore njëjës dhe në rasën emërore njëjës të emrave femërorë). Nuk ka një përkatësi të plotë biunivoke midis nyjave të përparme dhe atyre të prapme. Edhe nga kjo pikëpamje dëshmohet se historia e enklizës së shquar të shqipes zë fill tek nyjat e përparme të saj».      

Po ato ditë, nëpërmjet faqeve të gazetës «Dita», të interesuarit për çështje të gjuhësisë u njohën më gjerësisht rreth përmbajtjes së këtij libri nëpërmjet intervistës që studiuesi i njohur Aristotel Spiro i dha gazetarit të saj Xhevdet Shehu. (http://www.gazetadita.al/rreth-nyjes-gordiane-te-gjuhes-shqipe/?fbclid=IwAR30Ra7oXEq8-M_LMHsHtuwRwhEvoS-dIzB789aFDEoX9DWdgKAcGXOid68)    

Kush pati rastin ta lexojë këtë intervistë, mësoi se, veç volumit të madh, «studimi bie ndesh me gjithë trajtimet e derisotme që u janë bërë nyjave, sjell një “efekt domino” që përmbys edhe shumë kategorizime gramatikore të tjera që historia e mendimit gjuhësor albanologjik, që nga lindja e deri më sot, nuk ka njohur dikë tjetër t’i diskutojë kaq qartësisht e guximshëm njëherazi».    

Shumë përshtypje dhe një interes të jashtëzakonshëm në këtë studim ka ngjallur riklasifikimi (nga pesë) vetëm në tri rasa (emërore, gjinore dhe kallëzore) i lakimit të emrit në gjuhën shqipe dhe riklasifikimi i formave joskajore të gjuhës shqipe (paskajore, pjesore dhe përcjellore). Ky efekt domino ka ndodhur pas rishqyrtimit të nyjës së gjuhës shqipe sin ë plan diakroni, ashtu edhe në plan sinkronik. Pra, duket se, vërtetë, me këtë studim madhor për nyjën, siç vërehet në gazetën «Dita» është zgjidhur “nyja gordiane” e gramatikës së gjuhës shqipe.     

Në datat 24-28 nëntor në Tiranë u mbajt Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ky aktivitet i rëndësishëm u mbështet nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Prishtinës, Instituti Albanologjik – Prishtinë, Instituti i Historisë – Prishtinë. (www.akad.gov.al)   

Studiuesi i njohur, Dr. Aristotel Spiro, duke paraqitur në sesionin e gjuhësisë së Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike kumtesën «Prokliza binare dhe enkliza shquese:  dy anë të të njëjtit proces evolutiv gramatikalizues në shqipe», iu rikthye edhe njëherë për ta bërë sa më shterues problemin e nyjave në gjuhën shqipe.   

Për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj kumtese (*), të cilën e ndoqa nga afër, si edhe për të ftilluar më tepër disa detaje të saj, i kërkuam z. Spiro një intervistë për faqen «Vala News», kërkesë të cilën na e pranoi me kënaqësi.    

___   

   

Intervista    

Ilir Mborja: I nderuar Profesor! Duke ju uruar edhe një herë për botimin nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë të veprës suaj «Nyjat në gjuhën shqipe» si edhe për kumtesën shumë interesante që sapo mbajtët në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, më lejoni t’ju pyes për të ftilluar diçka më tepër rreth teorisë suaj për nyjat në gjuhën shqipe.    

Ju paraqitët kumtesën «Prokliza binare dhe enkliza shquese:  Dy anë të të njëjtit proces evolutiv gramatikalizues në shqipe». Ta fillojmë intervistën nga titulli i kumtesës.    

Pse, kur flitni për nyjat, ju e quani “prokliza (paravendosje) binare”?    

   

Aristotel Spiro: Sepse janë dy palë nyjash të përparme që përdoren në shqipe: nyja emfatike dhe nyja joemfatike. Ato vendosen sipas një rregulli, që unë e kam quajtur rregulli i përdorimit emfatik. Sipas këtij rregulli, nyja e përparme ka përdorim emfatik kur vendoset pas një emri të pashquar ose pas një përcaktori tjetër. Për shembull: tek djalë të mirëdjalë të fqinjit, djalin e fqinjitdjalin e mirë të fqinjit, të-ja ka përdorim emfatik, ndërsa e-ja ka përdorim joemfatik.    

Deri më tani koncepti i binaritetit në procesin e lindjes së nyjave dhe në rregullsinë e përdorimit të tyre të sotëm ka qenë i panjohur. Në studimin tim ai përbën një ndër konceptet themelore.    

   

Pyetje: Domethënë, ju pretendoni se ka lidhje përdorimi emfatik dhe joemfatik me lindjen e nyjave të prapme shquese?   

Përgjigje: Kanë shumë lidhje. Ato përbëjnë thelbin e mekanizmit që i lindi këto nyja. «Nëna» e shqipes përdori përemrat dëftorë për të plotësuar atë zbrazëti gramatikore që la reduktimi ose rënia e mbaresave në një masë të madhe emrash. Në atë kohë përemrat dëftorë kishin pak a shumë atë pamje që kanë sot nyjat e përparme i, e, të < to, ta, së < sa, so, meqenëse para tyre nuk përdoreshin parashtesat a- dhe kë-.     

   

Pyetje: Cila ishte arsyeja që u reduktuan ose ranë mbaresat e emrave të dikurshëm të «nënës» së shqipes?    

Përgjigje: Këtë nuk kemi për ta mësuar ndoshta kurrë. Arsyet e ndryshimeve gjuhësore, fillimi dhe fundi i këtyre ndryshimeve, mund të mos bëhen kurrë të qarta. Intuita ime prej studiuesi më thotë që pushtimi romak ka qenë kaq i egër, saqë mund të shkaktonte tronditje të ndërgjegjes gjuhësore. Pothuaj gjithë popujt e hapësirës së sotme ballkanike u romanizuan: trakët, dakët, pjesa më e madhe e ilirëve. Vetëm ilirët e jugut dhe grekët nuk u romanizuan. Mendja më thotë që ai do të ketë qenë shkaku kryesor, pushtimi i egër romak, por se si ka ndodhur kjo konkretisht, druaj se nuk kemi për ta mësuar ndonjëherë.    

   

Pyetje: A ka ndonjë mit në lidhje me prapavendosjen e nyjave shquese?   

Përgjigje: Gjatë një periudhe pothuajse shekullore janë krijuar disa mite «shkencore». Disa prej tyre janë të shpallura e disa të nënkuptuara. Për shembull, miti i kalimit nga paravendosja  e nyjës shquese tek prapavendosja e saj. Unë e mohoj prerazi që as shqipja as nëna e saj nuk kanë pasur ndonjëherë nyja shquese të paravendosura.    

Një tjetër mit është ai që e thjeshtëzon procesin e lindjes së nyjave nga anticipimi i dëftorit anaforik të pasvendosur. Domethënë absolutizohet skema pus i thellë ose pus i shtëpisë, në të cilat elementi ‘i’  tërhiqet dhe i prapangjitet emrit ‘pus’ dhe lind kështu nyja e prapme shquese. Deri këtu mirë. Po si ta shpjegojmë lindjen e nyjës shquese me sintagmën lule e fushës, që duhet të japë si rregull lulja e fushës? Nga del kjo ‘a’ tek lulja? Pra, gjërat janë pak më të ndërlikuara nga ç’duken në pamje të parë.    

   

Pyetje: Cila është më e vjetër: nyja e përparme apo nyja e prapme?   

Përgjigje: Për mua kjo pyetje nuk ka kuptim, por ju e bëni sepse kjo është konsideruar si çështja kryesore për zgjidhjen e problemit të nyjave në shqipe. Në të vërtetë, asgjë nuk zgjidhet qoftë duke thënë se në fillim u përftua nyja e përparme, qoftë nyja e prapme. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se nyja e prapme dhe nyja e përparme u zhvilluan njëkohësisht. Të dyja u zhvilluan prej të njëjtit dëftor anaforik.    

   

Pyetje: Fakti që nyja e prapme i është trupëzuar temës së emrit ndërsa nyja e përparme jo a mund të ishte një argument i tërthortë se nyjat e prapme janë më të lashta se ato të përparmet?    

Përgjigje: Absolutisht jo. Trupëzimi i nyjave të prapme ka ndodhur për shkak të pozicionit të tyre pas emrit ose pozicionit enklitik, siç quhet në literaturën gjuhësore. Është shumë e lehtë që fjalët enklitike t’i trupëzohen fjalës me të cilën bashkëpërdoren. Në shqipe kemi, për shembull, trajtat e shkurtra të cilat bëhen një fjalë bashkë me urdhëroren: merre, merrmë, sille, kape etj. Por themi e merr, më merr, e sjell, e kap etj., por jo emerr, mëmerr, esjell, ekap.    

   

Pyetje: Atëherë, cili është problemi i nyjave të gjuhës shqipe?    

Përgjigje: Nyjat në vetvete nuk kanë asnjë problem. Problem është qëndrimi i studiuesve që nuk kanë arritur të interpretojnë saktë sjelljen e tyre gramatikore. Është problem, për shembull, pse duhet debatuar se cila ka qenë më e vjetër, nyja e përparme apo e prapme. Disa mund ta quajnë problem që nyja shquese në shqipe i është prapangjitur emrit, duke quajtur gjendje normale paravendosjen e nyjës shquese, si në gjuhë të njohura evropiane, në anglishte, frëngjishte, gjermanishte, holandishte, italishte, spanjishte, greqishte. Mirëpo ka mjaft gjuhë të tjera në botë që nyjën shquese e prapavendosin, ashtu siç bën edhe shqipja.    

Problemi i vërtetë është, sipas mendimit tim, ngurimi për ta njohur  nyjën e përparme si pjesë ligjërate më vete dhe për të mos e përfshirë atë në pjesë të fjalëformës së emrave, mbiemrave, përemrave apo foljeve.    

Kjo ka dhënë shkas për krijimin e disa miteve të tjera për nyjat.    

   

Pyetje: Domethënë paska edhe mite të tjera gjuhësore që lidhen me nyjat?   

Përgjigje: Për fat të keq, po. Është për shembull miti i «lakimit në ballë të fjalës». Meqenëse nyja konsiderohet pjesë e fjalëformës, pjesë e emrit në gjinore ose e mbiemrit, meqenëse del e përngjitur me disa përemra pronorë, krijon përshtypjen sikur nuk lakohet në fund të fjalës por në fillim të saj pra, «në ballë të fjalës». Por ky është një perceptim i gabuar. Është një rast ideal ku intuita gjuhësore bie ndesh me realitetin gjuhësor. Dhe kjo, meqenëse nyja e përparme funksionon si një fjalë gramatikore e pavarur dhe jo si mbaresë apo «paresë», për të përdorur një përbindësh të propozuar terminologjik. Në sintagmat vajzën e bukur dhe vajzën e sjellshme dhe të bukur, nyja para mbiemrit bukur shfaq sjellje që nuk varet nga natyra morfologjike e mbiemrit, por nga distanca ndaj emrit në kallëzore vajzën.    

Një mit tjetër i sotëm gjuhësor është edhe ai sipas të cilit paranyjëzimi përbën një nga mënyrat e fjalëformimit në shqipe. Nuk ka mënyrë fjalëformimi me paranyjëzim, përderisa nyja funksionon si një element gramatikor më vete. Fjala ‘mirë’ është mbiemër jo ngaqë përdoret para saj nyja e përparme (ka një kategori të tërë mbiemrash që nuk e përdorin nyjën e përparme!), por është mbiemër sepse përcakton një emër sipas një cilësie dhe sillet gramatikisht duke përsëritur tiparet e emrit të përcaktuar. Prania e nyjës së përparme luan një rol gramatikor pleonastik. Por, e krahasuar me përdorimet e ngjashme tek emri, del në pah autonomia e saj leksikogramatikore.    

Nyja e përparme është fjalë e lirë gramatikore. Mund të përdoret para emrit në gjinore, para mbiemrit, përemrit, por edhe para një pjesoreje të foljes. Gramatikat e sotme shqipe, për fat të keq, nuk e njohin pjesoren e paranyjëzuar. Në shembujt Dokument i nxjerrë nga arkivi dhe mësim i organizuar në distancë, format nxjerrë dhe organizuar nuk mund të jenë mbiemra, por pjesore të paranyjëzuara. Por në asnjë rast nyjat e përparme nuk janë pjesë e emrit në gjinore, mbiemrit, përemrit, apo pjesores.    

   

Pyetje: «Nyjat e shqipes» apo «Nyjat në shqipe»? Cili është dallimi?    

Përgjigje: Unë jam munduar t’i shoh nyjat jo thjesht brenda një formule të mbyllur që i lindi, por në kontekstin gramatikor që ekzistonte para lindjes së tyre, si dhe në pasojat morfologjike që ato patën në të gjitha pjesët e ligjëratës.    

   

Pyetje: Cilat janë ato pasoja?    

Përgjigje: Ndërsa nyjat e prapme e dyfishuan lakimin e shqipes, nyjat e përparme nuk arritën t’u ngjiten fjalëve që u prinin. Nyjat e përparme janë fjalë klitike, fjalë gramatikore shërbyese të patheksuara, dhe fjalët të cilave u prijnë (emra në gjinore, mbiemra, përemra, forma joskajore) quhen fjalë bujtëse, anglisht «host». Ato krijojnë një lidhje aq të ngushtë, saqë fjala bujtëse tashmë nuk mund të përdoret vetëm pa nyjën. Kjo është një veçori tipologjike që e dallon sintaksën e shqipes nga sintaksa e gjuhëve të tjera. Këtë unë e kam quajtur morfologjizim të sintaksës, një lloj gramatikalizimi të mbetur në mes, që nuk çon në njëfjalëzimin e nyjës dhe të bujtësit. Kjo ka shumë rëndësi të kuptohet për të mos e quajtur nyjën e përparme pjesë të emrit në gjinore, pjesë të mbiemrit, të përemrit, të foljes.    

   

Pyetje: Si? Nyja e përparme nuk është pjesë e gjinores sipas jush? Nuk është pjesë e mbiemrit të nyjshëm? Nuk është është pjesë e përemrit, e emrit foljor?    

Përgjigje: Analiza gjuhësore nxjerr përfundime të tjera nga ato që na thotë intuita gjuhësore. Neve, si folës të gjuhës, në gjendjen e sotme të gjuhës dhe (të mos e harrojmë, se është shumë e rëndësishme!) me edukimin gjuhësor që kanë marrë breza të tërë në shkollë, na duket pa kuptim rasa gjinore pa nyjën e përparme, na duket pa kuptim ta ndajmë mbiemrin nga nyja, meqenëse janë shumë të lidhura me njëri-tjetrin dhe emri ose mbiemri nuk bëjnë dot pa nyjën. Mirëpo, nyja ka sjelljen e vet gramatikore që është e ndryshme nga ajo e emrit ose e mbiemri apo foljes. Për shembull, tek sintagma qyteti i Tiranës, emri Tiranës është në rasën gjinore, ndërsa nyja e përparme është në rasën emërore. Po ashtu, tek qytetin e Tiranës, emri Tiranës është prapë në rasën gjinore, por nyja e përparme është në rasën kallëzore. Pra, emri është gjithmonë në rasën gjinore, por nyja e përparme është një herë në rasën emërore, një herë në kallëzore, por mund të përkojë edhe me gjinoren, nëse në atë rasë përkon emri paraprijës dhe jo për shkak të emrit të cilit i prin. Madje, madje, nyja në të folurët e zakonshëm mund të mungojë fare. Tek sintagma qyteti Tiranës nyja i mungon fare, por emri pa nyjë Tiranës është prapë në rasën gjinore dhe jo në ndonjë rasë tjetër.    

   

Pyetje: Unë kam lexuar që në këtë rast thuhet se nyja e përparme është e pranishme aty, por shqiptimi i shpejtë bën që ajo të mos ndihet, pasi shkrihet me nyjën e prapme të emrit paraprijës. Domethënë, është sikur themi një i të zgjatur pas gjymtyrës bosht: qytetii Tiranës > qyteti Tiranës. Çfarë shpjegimi keni ju për këtë?    

Përgjigje: Nëse marrim parasysh vetëm shqipen standarde, shpjegimi juaj për rastin konkret është i pranueshëm. Por ne shohim përdorimin e nyjës në gjithë gjuhën shqipe, në të gjitha format e saj dhe në të gjitha mjediset gramatikore. Nyja e përparme shkrihet kur ajo përdoret, por kur nuk përdoret, nuk ka se si të shkrihet. Dhe për t’ua bërë më të qartë këtë, mund të marrim një sintagmë ku gjymtyra bosht është në gjininë femërore: te goca dajës nyja e nuk përdoret, por forma dajës është në rasën gjinore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbiemrat: furra vjetër, shkolla madhe, goca mirë etj. Po ashtu me emra të lakimit të dytë: shoku bangësplaku mençur, Bregu Detit.    

   

Pyetje: Atëherë, nëse ia heqim nyjën gjinores, ku qëndron dallimi midis saj dhe dhanores?    

Përgjigje: Gjinorja e konceptuar me nyjë të përparme është gabim parimor, kështu që «bëhet drejtësi» duke ia hequr. Dhe, natyrisht, nuk ka asnjë dallim formal midis atyre formave që njihen sot si dhanore dhe gjinore. Ka vetëm një rasë në gjendjen e sotme të gjuhës shqipe: rasa gjinore, e cila mbulon edhe funksionet e dhanores. Po ashtu, nuk ka rasë rrjedhore, por inkuadrohen edhe format e saj tek gjinorja.    

   

Pyetje: Po rrjedhorja e pashquar shumës më -sh?    

Përgjigje: Në gjendjen e sotme të gjuhës ajo ka zënë vendin e gjinores së pashquar shumës. Kjo bëhet e qartë vetëm me një eksperiment të thjeshtë: trajta e shquar e sintagmës erë malesh bën era e maleve. Gjinorja e pashquar shumës nuk mund të mbarojë më -ve, sepse kështu mbaron gjinorja e shquar shumës. Kjo është arsyeja që vendin e saj e ka zënë ajo që interpretohet gabimisht si rrjedhore më -sh.    

   

Pyetje: Mos vallë njohja e rasave kthehet në çështje negociimi midis gjuhëtarëve?    

Përgjigje: Çdo gjë në gjuhë ndryshon, edhe pse me ritme shumë të ngadalta. Kështu ka qenë që në lashtësi e deri më sot. Dikur rrjedhorja e shquar kishte mbaresat e veta që ndryshojnë nga ato të sotmet. Trajta e shquar bënte maleshit kundrejt trajtës së pashuar malesh. Më pas në atë vend u vendos një trajtë homonime me gjinoren. Kjo erdhi si rezultat i një risistemimi të paradigmës së lakimit. Megjithatë, në gjuhë ka edhe ndryshime që mund të vërehen nga folësit e thjeshtë. Para disa dekadash dallohej gjinorja e shquar nga ajo e pashquar malevet dhe maleve. Tani ky dallim nuk bëhet më. Prandaj opozicioni këtu realizohet me anë të formës së pashquar më -sh, e cila nuk nuk ka më kuptim të emërtohet rrjedhore.    

   

Pyetje: Ju keni ofruar një klasifikim të ri për format e pashtjelluara, të cilat i quani forma joskajore. Si e justifikoni ju këtë emërtim të ri?  

Përgjigje: Format e ashtuquajtura të pashtjelluara parqesin një varg problemesh klasifikimi, të cilat janë trajtuar shterueshëm nga literatura, por pa u dhënë një zgjidhje përfundimtare. Arsyeja e këtij ngërçi hulumtues fillon që në emërtimin e tyre. Emërtimi «forma të pashtjelluara» përmban në vetvete një gjykim ultimativ që e paragjykon studimin e këtyre formave pa i hyrë ende mirë studimit të tyre. Domethënë, këto forma merren si të ngurta, të pandryshueshme, të pashtjellueshme. Nëse unë si studiues kam dyshime për çështjen e shtjellueshmërisë, nuk mund të diskutoj për këto forma duke i quajtur të «pashtjelluara». Por studimi i tyre i paparagjykueshëm dëshmon që këto forma janë të shtjellueshme. Prandaj duhet hequr dorë nga emërtimi «forma të pashtjelluara» dhe të përdoret termi «forma joskajore», term që përdoret gjerësisht në literaturën e sotme gjuhësore moderne (anglisht non-finite forms).    

   

Pyetje: A zgjidhet problemi i formave joskajore duke ndryshuar emërtimin e tyre?    

Përgjigje: Sigurisht që jo. Qëllimi im fillestar nuk ka qenë zgjidhja e çështjes së klasifikimit të formave joskajore, por këtu më çoi studimi i statusit të nyjave të përparme. Duke marrë parasysh shkallët e ndryshme të gramatikalizimit të formave të ndryshme joskajore, të emërtuara ose jo, ne kemi mundësi të bëjmë një riklasifikim të të gjithë formave ekzistuese.   

Nëse u njohim nyjave të përparme statusin e fjalëve gramatikore që gëzojnë një pavarësi relative, të njëjtën pavarësi mund t’ua njohim njëkohësisht edhe fjalëve të tjera që bashkëpërdoren me format joskajore, për shembull parafjalëve për, me, pa, pjesëzës numërore një dhe t’i konsiderojmë këto fjalë shërbyese tregues të jashtëm të bashkëpërdorur funksionalisht me format joskajore. Kjo mënyrë të vështruari na jep dorë për një riklasifikim gjithëpërfshirës të të gjitha formave ekzistuese joskajore. Format «jetime» (një) (të) ardhur, (me) (të) ardhur, (me) ardhë, (pa) ardhur, (pa) ardhë, i përfshijmë tek paskajorja e cila ka një trajtë bazë ndërtimore, homonime me pjesoren. Paskajorja, mandej, ka një trajtë themelore funksionale me nyjë të përparme, e cila lakohet (prandaj paskajorja nuk mund të quhet e pashtjelluar!). Të punuar, të menduar, të jetuar, që dalin edhe në trajtë të shquar: të punuarit, të menduarit, të jetuarit, që tradita e derisotme gramatikore i njeh si emra foljore asnjanës.    

Mund të flasim gjerë e gjatë për të gjitha këto, por do të hyjmë në një argumentim që do t’i kalonte shumë – në mos i ka kaluar! – caqet e kuptueshmërisë brenda një interviste të destinuar për një publik të gjerë. Prandaj le ta lëmë pjesën tjetër për tribuna më të specializuara.    

   

Ilir Mborja: Ju faleminderit!    

Aristotel Spiro: Edhe unë ju falënderoj dhe ju uroj juve dhe gjithë lexuesve të medias «Vala News»: Gëzuar Vitin e Ri 2022!     

 

***

©Copyright VALA News

Ky artikull është ekskluziv i Vala News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vala-News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.