Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar biznesmenin Francesco Becchetti, televizioni i të cilit në vitin 2013 nuk mundi të marrë pjesë në një garë ku do shpërndaheshin disa licenca kombëtare digjitale.

Sipas padisë së bërë argumentohet se Agon Channel ishte penguar nga Autoriteti i Mediave Audiovizove për të marrë pjesë në konkurs me argumentin se gëzonte një licence kombëtare.

Agon Channel është ankuar në AMA në vitin 2014, por letra është zhdukur. Në vitin 2015 AMA zhvillon sërish konkursin dhe fton 5 transmetues kombëtar duke mos e njoftuar Agon Channel, i cili ridërgon letrën ankesë, por nuk merr një përgjigje.

Qeveria shqiptare në seancën e zhvilluar në Strasburg ka kërkuar rrëzimin e ankimit të Becchettit me argumentin se nuk ishin ezauruar shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.

Pasi ka shqyrtuar dosjen gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë shtetit shqiptar duke sqaruar se Francesco Becchetti duhet ta kishte dërguar çështjen fillimisht në gjykatën administrative.

Kjo do t’i jepte mundësi sistemit shqiptar të rregullonte vendimin e AMA-s të cilin Bechetti e cilëson si të padrejtë.

Më këtë vendim shteti shqiptar shmang një tjetër konflikt me Francesco Becchettin.

Biznesmeni italian Francesco Beccheti, i shpallur në kërkim nga Shqipëria që prej vitit 2015 u dënua në Gjykatën e Tiranës në shkurt të këtij viti për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, krijimit të skemave mashtruese, pastrimit të parave dhe falsifikimit me 17 vite burgim. Bashkë me të u dënuan edhe ortakë dhe bashkëpunëtorë të tij. Çështja është ankuar në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë Becchetti dhe kompanitë e tij kanë fituar rreth 108 milion euro në dëmshpërblime në gjykata të arbitrazhit.