Izraelitët në mars do t’iu drejtohen, për të katërtën herë brenda dy vitesh, kutive të votimit. Izraeli po përjeton krizën politike më të rëndë dhe ndërlikuar të historisë së saj, me Benjamin Netanyahun që për të disatën herë nuk arrin të mbajë një ekuilibër me rivalin e tij Benny Gantz, me të cilin kishte krijuar 8 muaj më parë një koalicion të brishtë qeverisës.

Arsyeja e dekretimit të zgjedhjeve të parakohshme kësaj radhe vjen nga mungesa e miratimit të buxhetit. Kryeministri Netanyahu dëshironte që të miratoheshin njëherazi buxhetet e vitit 2020 dhe 2021, diçka e refuzuar nga Gantz, që propozoi miratime të veçanta, por Knesset, Parlamenti izraelit, i ktheu mbrapsht të dyja, me 49 vota kundër 47, duke i hapur rrugë krizës politike.

Kriza

Netanyahu, ndaj të cilit po zhvillohet një gjyq për korrupsion, dhe rivali i tij Benny Gantz, fajësuan njëri-tjetrin për rënien e qeverisë.

Pas tri palë zgjedhjeve që nga prilli i vitit 2019, partia Likud e krahut të djathtë që e udhëheq Netanyahu dhe ajo e qendrës, Blu dhe Bardhë e Gantz, themeluan një qeveri uniteti në muajin maj për t’iu përgjigjur krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas marrëveshjes, Gantz, i cili është ministër i Mbrojtjes, do të merrte rolin e kryeministrit nga Netanyahu në gjysmën e mandatit katërvjeçar në nëntor të vitit 2021. Kritikët thonë se Netanyahu nuk e kishte ndërmend të zbatonte deri në fund marrëveshjen.

Koalicioni ka qenë jofunksional që nga fillimi, i nxitur nga mosbesimi, rivalitetet personale dhe ndryshimet e thella që vetëm u intensifikuan me kalimin e kohës.

Zgjedhjet

Por zgjedhjet që me shumë mundësi do të zhvillohen në mars mund të kenë protagonistë të ndryshëm. Ministri i Mbrojtjes Gantz, që sipas marrëveshjes politike me Netanyahu do të duhet të merrte rolin e kryeministrit me rotacion, sipas sondazheve ka rënë në mënyrë drastike në preferencat e opinioni publik. Partia e tij, “Blu e bardhë”, nga partia e parë në preferenca, mund të rrëshqasë në vendin e gjashtë, pasi votuesit nuk e kanë vlerësuar lojën për pushtet të ish-gjeneralit.

Por Netanyahu mund t’i trembet disa partive të reja që i vijnë nga e djathta, veçanërisht “Shpresa e Re” (Tikva Hadasha), e ish-ministrit Gideon Saar, dhe Yamina e një tjetër rish-ministri, Naftali Bennett.