Gjykata e Tiranës ka regjistruar statutin e Kuvendit të Partisë Demokratike të 11 dhjetorit të mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit.

Me vendimin e dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, zyrtarisht dhe ligjërisht njihen vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor 2021 nga grupi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Sipas statutit të Kuvendit të PD të 11 Dhjetorit të Komisionit të Rithemelimit, ndryshimet i hapin rrugë primareve brenda partisë, me qëllim fuqizimin e anëtarësisë, sanksionojnë legalizimin e fraksioneve, si dhe përcaktojnë largimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa për zgjedhjet lokale kryetari duhet të votëbesohet.

Po kështu, me regjistrimin e statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit, Partisë Demokratike i rikthehet logo e vjetër e partisë.

Në fillim të shkurtit, Partia Demokratike kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri.

Në një intervistë të dhënë dje në News 24, Bardhi tha se data e seancës është caktuar në shkelje të ligjit, pasi gjykatësi nuk ka ende dosjen në dorë.

Ai e akuzoi gjyqtarin Zhukri se ka pasur një takim me një përfaqësues të ish-kryeministrit Sali Berisha para se të caktonte datën për seancën dhe se këtë gjë e ka të dokumentuar.

Bardhi e quajti “kamikaz” gjyqtarin dhe shtoi se nëse ai do të marrë nesër një vendim për njohjen e ndryshimeve statutore, “e pret burgu”.

“I bëj thirrje gjykatës të mos u futet aventurave. Ka caktuar datë për seancë pas pasur dosje. Data për nesër është caktuar dje pa pasur gjyqtari, pa dosje mbi tavolinë. Është takuar me një përfaqësues të Berishës. E kam emrin, por nuk po e them për etikë të kolegut tim. Si mund të gjykosh pa pasur aktet dhe dosje, këtë do e shpjegojë gjyqtari. E kam të dokumentuar, me të gjitha. Nëse gjyqtari ka vendosur të hedhë veten në erë, është i lirë, i ka thënë burgut hapu. Një gjyqtar kamikaz”, tha Bardhi ndër të tjera.