Çfarë nuk thanë për të, me çfarë epitetesh fyese e stolisën, në të gjallë dhe pas amëshimit: “Pijanec i rëndomtë kafenesh, adhurues prostitutash i dy frangave, njeri i pa përgjegjshëm, poet vulgar”… Pa menduar aspak me cilin kishin të bënin! Ngaqë nuk mund ta shikonin…
Kjo histori ka vazhdim edhe sot, kur bota ka kapërcyer së shumti perversitetin me të cilin e akuzonte këtë POET dhe vazhdon ta bëjë. Veçse ai, i vetmuari i madh, dashnori i flaktë i poezisë së florinjtë – ngaqë për nga vërtetësia i ngjan diellit, vazhdon të qëndrojë indiferent kafeneve të tymosura dhe të bëjë shoqëri me lypsarë dhe prostituta dy frangëshe. Përse? Sepse atje është POEZIA ose më mirë, atje buron.
Nëse dëshiron të ndjekësh rrjedhën e saj të kristaltë, nga burimi alpin tek shpirti gjithmonë i etur i NJERIUT, shiko më thellë brenda këtij njeriu “të çuditshëm” dhe “të pa pranueshëm” për të gjithë puritanët e botës, edhe ata letrarë.
Do të gjesh poezi SERIOZE dhe UNIVERSALE tek “Bukovski i ndyrë”, si kjo e kristalta, që pata fatin ta njoh dhe ta shqipëroj, me mundësitë e mia modeste. Shijojeni! Do të keni nisur kështu një udhëtim me vlerë, për t’u takuar me poezinë e vërtetë.

ÇARL BUKOVSKI

në është të përpiqesh, çoje gjer në fund
përndryshe, as mos e fillo.
në është të përpiqesh, çoje gjer në fund.
kjo mund të nënkuptonte humbjen e shumë mikeshave,
bashkëshorteve, kushërinjve, punëve dhe
mbase mendjes tënde.
çoje gjer në fund.
do të mund të nënkuptonte të mos haje për 3-4 ditë,
do tëp mund të nënkuptonte ngricë tek stoli i kopshtit.
do të mund të nënkuptonte burg,
do të mund të nënkuptonte fyerje,
tallje,
vetmi.
vetmia është dhuratë,
gjithë të tjerat janë një sprovë e durimit tënd,
sa konkretisht e do.
Bëje.
dhe do ta bësh
pavarësisht mohimit dhe mundësive më të pakta
dhe do të jetë më e mirë
se çdo gjë tjetër
mund të fantazosh.
në është se do të përpiqesh,
çoje gjer në fund.
nuk ka tjetër ndjenjë
si kjo.
do të jesh vetëm me zotat
dhe netët do të përndizen
me Zjarr.
bëje, bëje, bëje.
Bëje
gjer në fund,
gjer në fund.
do të udhëheqësh jetën tënde drejtpërdrejtë
tek e qeshura e përkryer, është
e vetmja betejë e mirë,
që ekziston.
_____


Shqipëroi: Grigor JOVANI

Athinë, qershor-korrik 2023