Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka finalizuar skandalin me emërimin e familjarëve të deputetes Ermonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës.

Ndonëse në Kuvend, kreu i KLP-së, u përball me kritika dhe ju kërkuar sqarime mbi këtë çështje, sot “qeveria e prokurorisë” ka vendosur që Eranda Felaj të transferohet në Prokurorinë e Tiranës.

Eranda Felaj është motra e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj dhe i bashkohet në këtë prokurori vëllait të saj, Armando Felaj, oficer i policisë gjyqësore, bashkëshortes së këtij të fundit, prokurores Alma Felaj si dhe kunatit të saj, Bledar Valikaj.

Në favor të transferimit, votuan gjashtë prej anëtarëve të pranishëm. Konkretisht, skandali Felaj@co u votua nga zëvendëskryetari Tartar Bazaj, Bujar Sheshi, Esmeralda Cami, Eloida Goxhi, Arta Mandro dhe Ledina Riza.

Kundër votuan anëtarët Sokol Stojani, Nurihan Seiti dhe Mirela Bogdani.

Ndërkohë, nuk ishin të pranishëm në mbledhje kryetari i KLP-së, Alfred Balla dhe anëtari Zeqir Hoda.