Google do të paguajë 25 milion dollarë në Fondin Evropian të Medias dhe Informacionit të sapoformuar për të luftuar lajmet e rreme.

Google e njoftoi këtë të mërkurën në kontekstin e kritikave që gjigandët e teknologjisë nuk po bëjnë aq sa duhet për të zbuluar dezinformimin në internet, raporton Reuters.

Pandemia COVID-19 dhe zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA shkaktuan një rritje të madhe të keqinformimit, me disa që kritikuan mediat sociale për të mos qenë më proaktive në trajtimin e problemit. Rregullatorët kanë njoftuar se ata mund të vendosin kufizime të rrepta.

Fondi Evropian i Medias dhe Informacionit, nisur javën e kaluar nga Fondacioni Calouste Gulbenkian dhe Instituti i Universitetit Evropian, synon të mbledhë së bashku shkencëtarë, ekspertë të verifikimit të informacionit, organizata jofitimprurëse dhe organe të tjerë që punojnë në interesin publik për të ndihmuar në luftimin e lajmeve të rreme.

“Duke përjetuar pasigurinë dhe sfidat e vitit të kaluar, është provuar më e rëndësishme se kurrë që njerëzit të kenë qasje në informacion të saktë dhe të mund të dallojnë faktet nga trillimet,” tha zëdhënësi i Google Matt Brittin në një postim në blog.

Fondi do të funksionojë për pesë vjet. Observatori Evropian i Medias Dixhitale, një projekt i Komisionit Evropian i ngritur vitin e kaluar që përfshin ekspertë të verifikimit të informacionit dhe studiues të universitetit, do të vlerësojë dhe përzgjedhë projektet.