Greqia ka shlyer përfundimisht borxhin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin hyri gjatë krizës së euros që shpërtheu në vitin 2010 dhe rrezikoi ta nxjerrë Athinën nga eurozona.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se e gjithë kredia është shlyer dy vjet më herët se afati i planifikuar fillimisht.

Është fundi i një epoke, i një kapitulli gri në historinë e vendit”, shkroi Mitsotakis në Twitter.

Kriza e borxhit grek tronditi Europën për disa vite, duke arritur kulmin e saj në vitin 2015 me mosmarrëveshjen e kryeministrit të atëhershëm Tsipras dhe autoriteteve monetare, referendumin për planin e shpëtimit dhe marrëveshjen e papritur.

Athina i pagoi sot FMN-së këstin e fundit prej 1.9 miliardë euro të një kredie totale prej 32 miliardë eurosh dhe që pritej të shlyhej në muajt e parë të 2024-s. Falë kësaj shlyerjeje të parakohshme, Greqia do të kursejë 230 milionë euro interesa. Llogaritë publike të vendit, megjithatë, mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Fillimi i krizës përkoi me qeverisjen e Jorgo Papandreut dhe do ta çonte Greqinë në prag të falimentit. Pas marrëveshjes për hua ndërkombëtare, qeverisë iu desh duhet të aplikonte një plan shtrëngues të frikshëm që përfshiu privatizime, shkurtime ose ngrirje të pagave dhe pensioneve etj. Papunësia u rrit në 16%, ndërsa efektet e masave shtrënguese nuk po shiheshin.

Viti kyç, megjithatë, është 2015. Partia Syriza e drejtuar nga Alexis Tsipras fitoi zgjedhjet parlamentare me një program kundërshtimi të fortë ndaj recetës së “lotëve dhe gjakut” të Trojkës. Greqia u bë simboli i atyre që kontestonin epërsinë e financave mbi vullnetin popullor. Dhe në qershor, Athina nuk e ktheu këstin e kredisë së FMN-së dhe iu desh të përballej me reagimin e ashpër të “skifterëve”, veçanërisht të ministrit gjerman të ekonomisë Wolfgang Schauble, i cili ishte gati të përjashtonte Greqinë nga “klubi” i euros për të garantuar stabilitet financiar.

Tsipras bëri thirrje për një referendum për t’i paraqitur elektoratit planin e shpëtimit të propozuar nga Evropa. Plani u refuzua nga 62% e votuesve, por çuditërisht u pranua nga vetë Tsipras, çka solli dhënien e kredive që do t’i garantonin vendit mbijetesën financiare.

Sot Greqia ka ende një normë papunësie afër 13%, por shumë larg nga 22%-shi dramatik ku arriti në 2017.