“E ça ka këtu?” Ky ishte reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama i pyetur për videon e famshme me Lefter Kokën ku ftonin Nasip Naçon ti bashkohej PS-së.

“E ke shumë gabim. Unë jam në marrëdhënie super miqësore me të gjithë ata që punoj, por ua kam bërë të qartë atyre që punoj që punët e skuadrës janë punët e secilit prej ju. Nëse dikush shkel në dërrasë të kalbur i takon atij të merret.

Nëse ai ka shkelur apo nuk ka shkelur në dërrasë të kalbur i takon drejtësisë. Kushdo që ka bërë zullum, e ka bërë individual dhe do përgjigjet për çfarë ka bërë” – tha Rama për Lefter Kokën dhe madje e ka nxjerrë veten jashtë kësaj historie.

“Pse njëri bënte zullume pas shpine… unë nuk di gjë për vendimet që janë marrë. Unë nuk merrem me procedurën dhe di që nuk ka pasur kontestime. Di dhe që veprat janë aty. Inceneratorët janë sukses i qeverisë” – tha Rama.

Por a duhet të binte qeveria pas arrestimit të një ish-ministri.

“Je gabim. Në asnjë vend nuk do ndodhte kjo pasi në vendet normale dhe sjelljet normale të çdo demokracie përcaktojnë që përgjegjësia është individuale. Unë sa herë që ulemi në mbledhjen e qeverisë kam një shprehje. Vendet ku jeni ulur jua kanë dhënë tani duhet ti mbani. E mban me punë dhe me rezultate.

Në momentin kur drejtësia ti kërkon hesap dikujt ndër ne. Ai duhet të marrë avokat dhe të përballet me drejtësinë, ne nuk jemi zyrë avokatie dhe çështjet me drejtësinë nuk janë as politike dhe kolektive. Sa kohë që procesi vazhdon ai nuk ka më punë me PS” – tha Rama.