Nga Ilir MBORJA

Pas sulmit verbal kundër profesor Xhevat Lloshit në një emision të TVSH-së më 7 mars, pamë të shpalosej me egërsi revanshi turboalbanologjik i Enkel Demit. Si kundërpërgjigje ndaj shkencës serioze albanologjike, që ai e etiketon si “komuniste”, menjëherë thirri në studion e “vet” të ABC News Përrallëtarin e Shquar Agron Dalipaj, për të dëgjuar përrallat më të fundit që ka pjellë fantazia e sëmurë e përrallëtarit. Kështu, pasi u diskreditua keqas me idiotizmat që shqiptoi përrallëtari (“zbulimi” i një ungjilli sipas shenjtorit Andrea), pasi shpalosi vulgaritetin në gjithë madhështinë e vet me “magjitë” etimologjike, nuk u mjaftua me kaq. Thirri në studio një tjetër “aktor” të pellazgologjisë popullore, përfaqësuesin e “infantologjisë etimologjike” Çlirim Hoxha, për t’u dhënë dërrmën gjuhëtarëve “komunistë”. Etimologu i shqipes foshnjore zbuloi “live” para kamerës se fjala DELTA shpjegohet me anë të shqipes(!), meqenëse aty përmbahet folja “del” (detyrimisht në vetën e tretë – shënimi ynë I.M.) ndërsa TA-ja vjen nga pasthirrma TA kur luajmë kukamfshehthi me fëmijët e vegjël. Këtë lojë e kanë diktuar forcat speciale amerikane duke survejuar shqiptarët tek luanin me fëmijët e tyre dhe menjëherë vendosën që ta emërtonin kështu trupën speciale të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (!)…

Kaq shumë u tronditën në studion e emisionit të Enkel Demit, saqë nuk dinin ç’të bënin: të qanin nga mallëngjimi apo të qeshnin. Se, që t’u thyesh hundën gjuhëtarëve “komunistë” si Xhevat Lloshi, duhet të lëshosh një bombë aq të madhe sa ajo e Çlirim Hoxhës në emisionin e Enkel Demit me pasthirrmën TAAAAA! TAAAAA!
Puna është se publiku teleshikues i percepton këto “trimëri” si karagjozllëqe, që, sado të përmbahesh, nuk mund të mos shkulesh së qeshuri. Shembullin e dha e para partnerja e emisionit “enkeldems”, e cila ishte në gjendje të kuptonte se çka thoshte i ftuari, nuk ishin veçse broçkulla legjendare! I sikletosur, Enkel Demi iu bashkua së qeshurës dhe krijoi polifoninë e gajasjes neopellazge të tolerancës turbudallologjike.
Mirëpo kjo nuk e shpëton Enkel Demin nga pozicioni i haxhiqamilizmit etimologjik.
Edhe diçka tjetër! Ti Enkel mund ta sulmosh Enver Hoxhën për shumë gjëra, po kur flet për gjuhësinë, ia fut kot… Se, siç thotë Kadareja që ti e përmend dhe e interpreton krejt në të kundërt kur flet për gjuhësinë, e godet në pikën më të fortë duke i evidentuar meritën kur flet për njësimin e gjuhës letrare (standardin) dhe, e mbron dhe e  justifikon në pikën më të dobët të tij, kur flet për etimologjinë. Mbase ti nuk e di, Enkel, se Enveri bëri çmos e plasi që të botoheshin “studimet etimologjike” të Spiro Kondës, por nuk ia doli dot, se hasi në rezistencën e akademikëve me personalitet të kohës si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj.
Kadarenë përsëri e interpreton diametralisht në të kundërtën edhe kur bie fjala për huazimet…

I dashur Enkel, kur Kadareja thotë se: “…e vetmja kështjellë që nuk ra nga sundimi turk, ishte sintaksa”, kjo “kështjellë” nuk ra, sepse ndryshe nga shqipja që është e familjes indoevropiane, gramatika turke ishte e një familjeje tjetër…
Ndërsa “kështjella” e leksikut, si në shumë gjuhë të tjera ra…
Enkel, je ose me shkencën ose me injorancën. Zgjidh e merr!