Shënime mbi librin “Devollinjtë – Vendbanimet dhe demografia e tyre”

Nga Bardhul TODA*
_____

Libri “Devollinjtë – Vendbanimet dhe demografia e tyre” (monografi studimore dokumentaro-historike), nga Botimet “Enja”, Tiranë 2023, me autor, z. Hysen Koçillari, kjo vepër studimore mbi krahinën e Devollit shpalos pasurinë e historisë dhe kulturës së kësaj zone të veçantë.


Me dokumente autentike dhe analizat e tyre, autori hedh dritë mbi identitetin e devollinjve, historinë e vendbanimeve, dhe ndryshimet demografike që kanë ndodhur nëpër shekuj. Kjo punë e shkruar jep një panoramë të thellë dhe të plotë të kësaj krahine të pasur me vlera, vlera të cilat nuk janë vetëm pasuri për këtë krahinë, por në të njëjtën kohë, janë vlera që i bashkohen antikitetit dhe origjinës sonë të lashtë, duke iu bashkuar tërësisë së vendbanimeve të tjera shqiptare, që na bëjnë krenar për lashtësinë dhe kulturën tonë.
Studimet mbi mitet, legjendat, etnonimet, zbulimet arkeologjike dhe fortifikimet në zonën e Devollit, ofrojnë një dritë të veçantë mbi historinë dhe kulturën e kësaj zone. Këto shënime e ç’mitifikojnë dhe rivërtetojnë trashëgiminë kulturore të asaj qendre banimi, duke e bërë atë të kuptueshme për brezat e ardhshëm, dhe të pastruar nga gjithfarë ndotjesh dashakeqe, që jo rrallë ka pësuar historia dhe lashtësia jonë kombëtare, për prejardhjen dhe identitetin e saj.
Përveç kësaj, ky libër ndihmon shumë në vazhdimësinë studimore për rikonstruktimin e ngjarjeve historike të devijuara më parë, mbështetur në fakte dhe zbulime arkeologjike, duke kontribuuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe respektit ndaj trashëgimisë kulturore të Devollit, si pjesë e tërësisë së territorit tonë.
Në kujdesin dhe vëmendjen e autorit, në themel të punës së tij duket qartë dëshira dhe saktësia për deshifrimin e origjinalitetit të toponimeve që përmbledh krahina e Devollit, bazuar në studime dhe dokumente që nga thellësitë e një kohe që më shumë se e jetuar, shpesh duket si legjendë e sajuar.
Pikërisht, këtë dukuri që ndan mitizimin nga e vërteta, z. Koçillari e ofron të pastër dhe të qëruar, si një frut të shijshëm dhe të bukur.
Nisur së pari nga gjuha, në hulumtimet e tij të thella na paraqet: “Në toponiminë e Devollit hasen etnonime që studiuesit i argumentojnë se janë fjalë me burim emërtimi parahistorik. E. Gatti, studiues italian, për këtë çështje mendon “që qytete, male, lumenj, liqene morën nga popujt e lashtë emra që me siguri kishin ndonjë kuptim…” .”
Në analizën që bëhet për fjalën Arë~a – Arëza, z. Koçillari thotë: “E. Gatt-i shkruan: “Arët, për studiuesit, quhen “indoevropianë”, ishin një familje e rëndësishme popujsh. Në fillim të epokës së bujqësisë e të bronzit, ata zotëruan të gjithë Evropën… Arët janë bujqit e parë në Evropë e do të jenë kujtuar gjithmonë për të mirë aq sa emri arë mbeti në gjuhën shqipe e u shndërrua në “hare” që do të thotë gëzim e kurajë… Origjinën e hershme të emrit Arëzë e pohon edhe M. Aref, i cili për të argumentuar përputhjet pellazge e thrako-ilire që hasen në toponime, etnonime ose antroponime si dhe ngjashmëri të tjera gjuhësore në Evropë e në pellgun mesdhetar… tek shkronja a shkruan: “Arz (Arzen), Erz (Erzen) = lumë në Shqipëri. Arëze = shtatë qytete me të njëjtin emër në Shqipëri. Arraz, qytet në veri të Shqipërisë…”
Në të njëjtën linjën ecën studimi dhe përshkrimi i autorit, edhe në rastin e toponimeve të krahinës.
Në faqen 94, në paragrafin “Peloni, etnonim, emër qyteti të lashtë”, ndër të tjera theksohet: “M. Aref, pohon që pasardhësit e vetëm të pellazgëve në Evropë, janë shqiptarët e sotëm, gjuha e të cilëve (nënkuptohet, me përjashtim të fjalëve të futura apo neologjizmave të huaja) flitet sot ashtu si është folur qysh më shumë se 3000 vjetësh…”
Në faqen 98, tek kapitulli “Trojani-etnonim me burim qyteti”, referuar në libër Elena Kocaqit, e cila ka thënë: “Trojanët e kanë quajtur veten e tyre si dardanë e albanë, e kjo duket te emrat që u vunë vendeve të reja ku u vendosën, pas shpërnguljes së një pjese të popullatës nga Troja… “Nuk është rastësi që populli shqiptar i sotëm quhet me emrin më të vjetër të Evropës Alban, me të cilin janë quajtur tërë popujt e Evropës së vjetër. Kështu, Britania është quajtur Albion dhe Skocia, Albani, fiset gjermane teutono-trojane janë quajtur nga Straboni Albanë, në Itali trojanët ngritën qytet me emrin Alban, në Detin e Zi, Skithët e quanin veten Alban etj…”
Në pjesën e tretë të librit: “Vendbanime të hershme në Devoll që janë studiuar…”, autori nënvizon se: “Studiues e etnologë pohojnë që mund të ndodhë se për shkaqe të ndryshme, të lindin e të zhduken fshatra… Hinalçiku, historian bashkëkohor turk, ka hartografuar nga Rregjistri Arvanid (1431) 550 fshatra e nga studimi i regjistrave të Korçës, Përmetit Arvanid (1431) vërehet që dy të tretat e rasteve (fshatra e lagje) ruajnë deri më sot vazhdimësinë si vendndodhje po edhe në emërtime… Fakti që në zonën rreth Grykës së Ujkut janë zbuluar e studiuar disa zona arkeologjike pohojnë këtë konkluzion. Jo vetëm kaq, po fakt motivues është toponimia në fshatrat që dikur ishin vendosur në kushte të përshtatshme rrëzë luginave apo faqes lindore të Moravës ku ndeshim toponime vendbanimesh që janë zhdukur apo zhvendosur.”
Një tjetër përkujdesje e autorit, është edhe përshkrimi i detajuar i pozicionimit të fshatrave në krahinën e Devollit. Veç lartësisë nga niveli i detit, përshkruhet edhe perimetri i secilit fshat, dhe kufizimet me fshatrat fqinje sipas koordinatave gjeografike, duke përmbledhur kështu shtrirjen dhe sipërfaqen e përgjithshme të tyre.
Ajo që e bën të veçantë vazhdimin, është historiku i gjurmuar, i mbledhur dhe i përpunuar për çdo fshat, duke e plotësuar deri në mundësinë më skajore atë që mund të quhet vend bosh, apo i pa plotësuar.
Edhe pse kjo punë kaq e lodhshme, që kërkon kohë, mund, energji, shpenzime të shumta dhe jo vetëm, për autorin mbetet e hapur dhe disi e pa plotësuar për dëshirën e tij hulumtuese në mënyrë shteruese.
Në pjesën e nëntë dhe të fundit të këtij libri për krahinën e Devollit, autori, studiuesi i pasionuar z. Hysen Koçillari, flet për planet dhe copëtimin e trojeve etnike shqiptare apo i këmbimit të tyre, sipas orekseve të “të fortëve”.
Përfshirja e temave të tilla në pjesën e fundit të librit është e rëndësishme për të adresuar sfidat dhe rreziqet që e kanë prekur zonën e Devollit në periudha të ndryshme historike. Diskutimi i planeve për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, nga ana e autorit shënon një thirrje për mbrojtjen e identitetit dhe territorit të Devollit. Kjo pjesë i jep lexuesit një perspektivë më të gjerë mbi kontekstin historik dhe politik në të cilin zhvillohet historia e kësaj zone, duke e bërë librin një burim të rëndësishëm për kuptimin e situatës aktuale dhe për të vlerësuar sfidat e ardhshme.
Në vërtetësinë historike të kombit tonë, ky rrezik i vazhdueshëm dhe pothuajse i pa ndarë prej nesh që nga Traktati i Shën Stefanit, ka dokumentuar dhe dokumenton fakte e ngjarje të cilat, vërtet edhe sot, në të ashtuquajtur botën e paqes, kombin e shqiptarëve nuk e ka lënë të qetë.
Ajo që ndodh sot në veriun e Kosovës, është një rrezik i gjallë, që mund të ringjallet edhe në gjerësi gjeografike, edhe pse askush prej nesh nuk do ta donte.
Kombi ynë jeton me dëshirën dhe shpresën e bashkimit të trojeve, të ndara padrejtësisht në vitet 1878 dhe 1913, dhe jo me ndjesinë dhe dhimbjen e ndarjeve të reja.
Të nderuar miq! Libri që kemi në dorë, është aseti më i ri me vlera të rëndësishme që studiuesi z. Hysen Koçillari ia dhuron me punën e tij jo vetëm Devollit, por të gjithë kombit.
Janë dukshmërisht të qarta pasioni dhe dëshira e z. Koçillari për të bërë më të mirën e mundshme, dhe unë mendoj që për aq sa ka pasur mundësi, ia ka arritur me sukses.
Në këtë sukses, themeli qëndron në atë çka ka thënë z. Perlat Meço në pjesën “Në vend të pasthënies”, nga i cili citoj: “Të dish është e rëndësishme, por po kaq me vlerë është të duash, të duash përpara çdo gjëje që bën.”
Këtë punë të lodhshme por kaq të bukur, autori në radhë të parë e ka bërë nga dashuria për vendin e tij.
Urimet më të përzemërta z. Koçillari!

_____

 

*Bardhul Toda,
(intelektual, poet, përkthyes i gjuhës greke)
Nga fjala e mbajtur në Bibliotekën Publike “Qemal Baholli”, Elbasan, më
16 mars 2024