Saimir Tahiri u dënua të premten me 3 vjet e 4 muaj burgim. Në mbrëmje ish-ministri i Brendshëm u dërgua në ambientet e paraburgimit 313 për t’u sistemuar në një nga qelitë e godinave të këtij burgu.

Megjithatë, ende nuk ka një vendim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve se në cilin burg do ta vuajë dënimin Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm është pozicionuar përkohësisht në një nga qelitë e paraburgimit 313 dhe më pas do të merret një vendim nëse ai nuk do të lëvizë nga ky burg apo do shkojë në një burg tjetër siç është 302-shi, apo burgu i Vaqarrit. Ligji parashikon që një i dënuar duhet të qëndrojë në një burg që është afër vendbanimit të familjarëve  të tyre që të kenë mundësi ta shikojnë.

Gjatë ditës së djeshme, Saimir Tahiri, u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku iu morën sendet personale. Mësohet se Tahiri ka marrë me vete në ambientet e paraburgimit vetëm cigare dhe rroba për t’u ndërruar.

Procesi ditën e djeshme ka qenë me tensione dhe gjendje të rënduar emocionale ku pati reagime të ashpra nga avokatët e Tahirit. Ata prisnin që të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, por jo që të hiqej neni 59, i cili ia konvertonte dënimin Tahirit në Shërbim Prove. Tashmë mbrojtja do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për rekurs.

Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por nuk kishte prova të mjaftueshme. Në mars organi i akuzës zhvilloi seancën përballë Komisionit të Mandateve ku kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit.

Në maj të vitit 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit nga ana e saj, në Qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të Parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, pasoi vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel me një tjetër trupë gjykuese, e cila u shpreh të premten.