Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një konference për shtyp se Shqipëria dhe SHBA do të jenë bashkëpenëmbajtëse lidhur me çështjen e Ukrainës.

Sipas ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, ky term përdoret për të treguar se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë bashkautorësinë për çështje dhe nisma që kanë lidhje me sigurinë e me paqen, veçanërisht për Ukrainën.

“Kemi marrë konfirmimin përfundimtar nga DASH se SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse, ky është termi në KS e OKB lidhur me çështjen e Ukrainës. Është konfirmim i një Shqipërie krejt tjetër në arenën ndërkombëtare, i një Shqipërie që vlerësohet për karakterin, vlerësohet për qëndrueshmërinë, vlerësohet edhe për aftësinë në luajtjen e rolit që i takon si një vend që promovon paqen, sigurinë.

Krijimi i këtij çifti në Këshillin e sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dyja vendet tanimë partnere të ngushta në këtë proces do të ndërmarrim. Gjë që konfirmon qartësisht një pozicion pa ekuivok të vendit tonë dhe nga ana tjetër duke qenë aktivë në një çështje kaq akute si kjo e Ukrainës, por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne faktikisht përkufizojmë edhe më qartë në sytë e të gjithëve atë që dëshirojmë të jetë roli ynë, një forcë që kontribuon për të mirën. Jemi shumë të emocionuar nga ky zhvillim sepse është kurorëzim i një përpjekje dhe jo fundi, por kurorëzim në vazhdën e mundimit për të bërë që Shqipëria të qëndrojë në një nivel krejt tjetër, në marrëdhëniet ndërkombëtare në raport me çka qenë në të shkuarën dhe për të bërë që Shqipëria të forcojë në çdo hap e më shumë bindjen tek vlerat që ajo mishëron dhe njëkohësisht besimin tek vetvetja për të qenë një partner real, luajal, shumë i qëndrueshëm në atë front vendesh ku ne kemi zgjedhur të jemi si popull, si komb, si shtet, por mos ta harrojmë, për të qenë një vend që fjalën e vet e thotë siç e mendon dhe e mendon siç e thotë dhe jo një vend që qëndron si një vrimë e fundit të kavallit, apo një pikë e fundit të bishtit që vetëm tund kokën në shenjë aprovimi, apo bën edhe më keq se kaq, siç ka ndodhur në të shkuarën“, tha Rama.