Gjatë fjalimit të tij nga Shtëpia e Bardhë të enjten duke pranuar nominimin e partisë së tij për një mandat të dytë, Presidenti Donald Trump tha se zgjedhjet e nëntorit “do të vendosin nëse ne do të mbrojmë mënyrën e jetesës amerikane apo nëse do të lejojmë që një lëvizje radikale ta çmontojë plotësisht dhe ta shkatërrojë atë”.

Presidenti Trump, i cili përballet me një sfidë të fortë nga ish-Nënpresidenti Joe Biden, i tha një turme të madhe në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë se “këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë”.

Mbi 1000 pjesëmarrësit e ftuar, përfshirë shumë anëtarë republikanë të Kongresit, ishin ulur pranë njëri-tjetrit dhe shumica nuk mbanin maska për fytyrën, duke kundërshtuar kështu këshillat e shëndetit publik mes pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Trump, që radhitet pas Biden në anketimet në rang kombëtar dhe në anketimet në shtetet kyçe të betejës elektorale, ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalës së tij një sulmi të ashpër ndaj kundërshtarit të tij demokrat, duke e denoncuar atë në një moment si “kali i Trojës” për radikalët e majtë dhe anarkistët që duan të shkatërrojnë vendin.

Mes brohoritjeve inkurajuese nga publiku, Presidenti Trump tha se ish-nënpresidenti “nuk është shpëtimtar i shpirtit të Amerikës. Ai është shkatërruesi i vendeve të punës në Amerikë. Nëse i jepet mundësia, ai do të jetë shkatërruesi i madhështisë amerikane”.

“Për 47 vjet, Joe Biden mori kuotat e dhuruara nga punëtorët, u dha përqafime dhe madje puthje”, tha Presidenti Trump. “Dhe u tha atyre se ai ndjen dhimbjen e tyre. Dhe pastaj ai fluturoi përsëri për në Uashington dhe votoi për t’i dërguar vendet tona të punës në Kinë dhe në shumë vende të tjera të largëta”.

Presidenti, në fjalimin e tij 70-minutësh, theksoi atë që e quajti qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kinës, për sa i përket ekonomisë dhe fajësoi Pekinin që lejoi daljen e koronavirusit nga kufijtë e vendit.

“Axhenda e Joe Biden-it është bërë në Kinë. Axhenda ime është bërë në SHBA”, tha Presidenti Trump.

Nëse rizgjidhet, Presidenti Trump premtoi se “do t’i qepemi menjëherë Kinës. Nuk do të mbështetemi tek ta për asgjë”.

Pak para fjalimit të presidentit, fushata e Biden sulmoi Presidentin Trump si “presidenti më i dobët që kemi patur ndonjëherë përballë Kinës”.

“Ai ka dështuar përsëri dhe përsëri të mbrojë interesat amerikane përballë qeverisë kineze”, tha fushata Biden në një deklaratë.

Fushata e kandidatit të Partisë Demokrate pretendon se “kur po shfaqej koronavirusi, Trump përhapi gënjeshtrat e Xi. Dhe lufta e tij e tarifave me Kinën ka shkatërruar fermerët, bizneset, konsumatorët dhe punëtorët amerikanë. Ai madje iu lut Presidentit Xi ta shpëtonte fushatën e tij për rizgjedhje”.

Në fjalën e tij, Presidenti Trump tha se zoti Biden “e ka kaluar tërë karrierën e tij në anën e gabuar të historisë”.

Presidenti gjithashtu kërkoi të krijonte një kontrast filozofik dhe moral midis dy palëve.

“Në pamjen e mbrapshtë të së majtës, ata nuk e shohin Amerikën si kombin më të lirë, të drejtë dhe të jashtëzakonshëm mbi Tokë. Përkundrazi, ata shohin një komb të lig që duhet të ndëshkohet për mëkatin e tij”.

Presidenti Trump deklaroi se “Joe Biden është i dobët. Ai merr urdhrat e tij të marshimit nga hipokritët liberalë”.

Biden, në një aktivitet virtual të fushatës të enjten, kritikoi presidentin si “krejt të papërgjegjshëm” për organizimin e një aktiviteti krejtësisht politik në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, “duke hedhur praktikisht në kosh të gjitha rregullat kryesore”.

Përveç fjalimit të tij drejtpërdrejt para turmës në Shtëpinë e Bardhë, dhe një fjalimi mbrëmjen e së mërkurës në Baltimore nga Nënpresidenti Mike Pence, konventa katër-ditore e republikanëve ishte kryesisht virtuale, e ngjashme me konventën demokrate një javë më parë.

Duke iu kthyer konventave virtuale, të dyja palët përpiqen të kufizojnë përhapjen e koronavirusit, që sipas Universitetit Johns Hopkins, ka vrarë më shumë se 180’000 njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe ka infektuar 5.8 milionë.

“Do të prodhojmë një vaksinë para fundit të vitit, ose ndoshta edhe më shpejt”, parashikoi Presidenti Trump të enjten në mbrëmje.

Këshilltarët kryesorë të presidentit besojnë se ai e përmirësoi pozicionin e tij politik këtë javë, me folësit që lavdëruan mandatin e tij 3-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë dhe kritikuan Biden, shumica e tyre ndërsa qëndronin në një skenë në Auditorin e boshatisur “Mellon”, jo larg Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump u prezantua nga njëra nga vajzat e tij, Ivanka, e cila është gjithashtu një këshilltare e Shtëpisë së Bardhë.

“Baba, njerëzit të sulmojnë për shkak se je jokonvencional, por unë të dua për shkak se je i vërtetë,” tha ajo. “Dhe të respektoj që ke qenë efektiv”.

Gjatë kongresit republikan, trazirat racore shpërthyen në Kenosha, të shtetit Wisconsin, ku goditja me armë nga policia e afrikano-amerikanit Jacob Blake, ngjalli protestat në rrugë kundër policisë. Pati ndërtesa të cilave iu vu zjarri në qytetin prej 100’000 banorësh. Një i ri 17-vjeçar nga shteti fqinj Illinois është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e një të treti.

Presidenti Trump, në fjalën e tij të pranimit nuk përmendi plagosjen e Blake, i cili është i paralizuar nga mesi e poshtë, siç njoftoi babai i tij. Ai ritheksoi qasjen e tij për rend dhe ligj, duke dënuar provokatorët, grabitësit dhe anarkistët në disa qytete të drejtuara nga demokratët.

Presidenti Trump dhe Nënpresidenti Pence, së bashku me folësit e shumtë në konventë, portretizuan administratën e tyre si një mbështetëse të vendosur të zbatimit të ligjit, si dhe kundra protestave, disa prej të cilave janë bërë të dhunshme, që nga vdekja nën arrest policor më 25 maj e afrikano-amerikanit George Floyd, në qytetin Minneapolis, të shtetit Minesota.

Anketimet tregojnë se Biden kryeson ndaj Presidentit Trump me rreth 7 pikë përqindje, sipas një përmbledhjeje të anketimeve në faqen e internetit të Real Clear Politics. Sidoqoftë, avantazhi i Biden është më i vogël në disa shtete kryesore të betejës elektorale që mund të rezultojnë edhe një herë vendimtare në zgjedhje.

Vetëm dy presidentë amerikanë kanë humbur garat për rizgjedhje pas një mandati të vetëm në detyrë gjatë katër dekadave të fundit: Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H.W. Bush në vitin 1992.