Kapiteni i Manchester United është bërë lajm kryesor i mediave ditët e fundit pasi një gjykatë në Greqi e shpalli atë fajtor për sulm dhe për tentativë korruptimi të policisë, ndërsa në ngjarje janë përmendur edhe shqiptarët.

Maguire u dënua me 21 muaj me kusht dhe nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi u shpall fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet greke, për sherrin masiv ku ai u përfshi në ishullin grek të Mikonos. Megjithatë gjyqi do të bëhet edhe njëherë nga fillimi.

Për herë të parë, pas pushimeve që vetëm kështu nuk mund të quhen këto të kësaj vere për mbrojtësin e United, ai ka vendosur të flasë, në një intervistë të marrë nga BBC Sport.

Tejet i emocionuar gjatë intervistës, Maguire është shprehur se ai mendoi se po rrëmbehej kur u ndalua nga policia.

“Ishte e tmerrshme. Nuk ia uroj askujt. Është hera e parë që unë përfundova në burg. Mendimi im i parë ishte se ata po na rrëmbenin, pasi na ulën në gjunjë dhe nisën të na godasin. Më vendosi prangat në njërën dorë dhe po më godiste nga këmbët duke më thënë se karriera ime do të mbyllej dhe nuk do të luaja më futboll. Në atë, moment mendova se nuk ka shanse që këta janë policë. Unë u përpoqa të ikja. Isha në panik, nga frika. U tremba për jetën time”, tregon mes emocioneve të shumta mbrojtësi anglez.

Ai komenton edhe nisjen e konfliktit dhe pretendimet e prokurorit grek, i cili tha se Maguire duhet të kërkojë falje për gënjeshtrat e tij.

“Dy burra iu afruan motrës sime të vogël dhe e pyetën se nga ishte. E fejuara ime pa motrën dhe vrapoi drejt asaj pasi e pa që po i binte të fikët. Më pas nisi gjithçka. Unë nuk ndjej t’i kërkoj falje ndokujt. Ju e bëni këtë kur keni gabuar. Falje mund t’u kërkoj vetëm tifozëve dhe klubit”, u shpreh mbrojtësi.

Tashmë, Harry Maguire do të apelojë dënimin, ndërsa zotohet se do të luftojë për të pastruar emrin, duke synuar daljen në dritë të së vërtetës.

GJYQI – “Ishte e tmerrshme, një kthesë e papritur. Më dhanë një dokument të madh, i gjithi në greqisht. As të flas me avokatin tim nuk kam pasur mundësi. Ishim të bindur se gjyqi do të shtyhej, që të na jepnin më shumë kohë për t’u përgatitur, për të marrë dëshmitarët dhe për të paraqitur provat që kemi. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, nuk prisnim që gjyqi të bëhej. Kam besim se rigjykimi do të na japë më shumë kohë për t’u përgatitur, për të mbledhur prova dhe për të lejuar dëshmitarët në gjykatë. Kam besim se e vërteta do të tregohet dhe do të dalë në dritë”.

GODITJA E POLICIT – “Në deklaratën e tyre është shkruar se dëmtova shpinën dhe krahun e një polici. Unë e kisha dorën lart, isha në pranga kur u përpoqa të iki. Nuk e kuptova se ishin policë dhe mendova se po më rrëmbenin. Nuk mendoj se e lëndova kaq shumë. Dmth, nuk mendoj se e lëndova më shumë se sa më lënduan”.

“A E DINI KUSH JAM UNË” – “Sigurisht që nuk e kam thënë. E dija që ata më njihnin. Pesë minuta para se të më rrihnin më thanë se karriera ime ka marrë fund. Kështu që e dija që e dinin se kush jam. Sapo pashë atë deklaratë… ishte thjesht qesharake.  Padyshim që nuk ka pasur tentativë për ryshfet. Kur ishim në hyrje të burgut, ishim aq të shqetësuar sa po qanim. Ende nuk e besonim se ku ishim”.

PËRBALLIMI I SITUATËS – “Nuk mund të them që nuk kisha pirë gjithë ditën. Kisha pirë disa gota. Kushdo që më njeh dhe që ka qenë me mua e di se si jam pas disa gotash. Unë jam gjithmonë i vetëdijshëm. Gjithmonë e kam veten në kontroll. Pa asnjë diskutim nuk isha i dehur. Thjesht u gjenda në një situatë të keqe.

Askush nuk e di çfarë kaluam atë natë. Ose e besoni, ose jo. Tregimet që dalin nga gjyqi janë aq larg nga e vërteta dhe është e pabesueshme. Karakteri dhe personaliteti im do të mbeten të njëjtë. Jam i fortë mendërisht dhe do e kaloj këtë. E kam ndërgjegjen e pastër dhe e di mirë se çfarë ndodhi atë natë”, mbyll Maguire.