Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe njëherë se zgjerimi i Greqisë me 12 milje në detin Jon nuk ka lidhje me ujërat territoriale të Shqipërisë. Ai shtoi se zgjerimi nuk ka lidhje me marrëveshjen për detin, që po punohet akoma për ta arritur. Deklaratat kreu i qeverisë i dha përpara gazetarëve shqiptarë gjatë një prononcimi për mediat.

“Nuk jam në dijeni për këtë. Deklarata e Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë territoriale, nuk ka lidhje me marrëveshjen për të cilën po punojmë por nuk e kemi arritur akoma. Nuk ka lidhje me asgjë nga ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme ose nga padituria për të nxitur një shqetësim në mënyrë artificiale. Ju them edhe njëherë shtrihen midis ujërave territoriale të vendeve ka ujëra të ndërmjetëm, shelf kontinental, pra siç ka rrugë mes vendbanimeve dhe shteteve për të kaluar ka edhe rrugë për të kaluar në det që janë rrugë të përbashkëta. Marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike e përcaktuar nga konventa është e drejtë e çdo vendi”, tha Rama, i cili shtoi se Greqia po ushtron një të drejtë që ia japin konventat.

“Shtrirja në 6 milje plus në ujërat territoriale është një e drejtë e të gjithë vendeve. Këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar. Ne jemi zgjeruar që në vitin 1990. E kemi depozituar në Mars në OKB. Greqia nuk e ka kontestuar dhe nuk e konteston. Nuk ka lidhje për të shtrirë ujërat territoriale. Ajo që ndodh mes Turqisë dhe Greqisë është një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territoriale mes njëri dhe tjetrit. Ne jemi duke e trajtuar në mënyrë konstruktive, por nuk kemi rezultat përfundimtar. Hartat që dalin, si ajo e Kosovës që do të copëtohej, apo siç dalin hartat se si do të shtrihet Shqipëria përtej vetes, janë spekulime që nuk kanë lidhje me realitetin”, tha Rama.

Kryeministri i ktheu përgjigje edhe Presidentit Meta, i cili tha një ditë me parë se do të mbrojë Kushtetutën në lidhje me marrëveshjen e detit.

Rama i bëri thirrje Presidentit të informohet dhe shtoi “nuk është momenti që ai të bëjë rafting me Kushtetutën dhe fqinjësinë e mirë”.

“Ajo që unë di është që në radhë të parë këtu Presidenti duhet të informohet mirë dhe në vend që të thotë se çfarë të bëjë se e dimë çfarë bën, të bëjë atë që është për aty dhe të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e Greqisë që buron nga Konventa e të drejtës së detit dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë. Mos të ngatërrojë dhe mos të hedhë fjalën Mos sikur kapeni ju tani se për fat të mirë të Kushtetutës nuk ka lidhje fare Kushtetuta këtu. Nuk hyn fare e drejta kushtetuese shqiptare. Është si puna e kanioneve të Skraparit ka shkëmbinj nga një anë, shkëmbinj nga ana tjetër dhe një rrjedhë ujore. Konventa u ka dhënë të drejtë që të marrin secila nga rrjedha ujore brenda anës së tyre ama jo të kapërcejnë lumin dhe të kapin shkëmbin. Shqipëria i ka marrë, Greqia do i marrë. Presidenti të qëndrojë i qetës sepse nuk është rasti të bëjë rafting me Kushtetutën dhe me një çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të fqinjësisë e mirë”, tha Rama.