I ftuar në “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Edi Rama ka folur përsa i përket arrestimit të Lefter Kokës dhe ka thënë se përgjegjësia e çdo personi që është në krye të një detyre, është individuale.

Arjan Çani: Pa humbur kohë, dua të di, si ka mundësi që po të kishte ndodhur një skandal siç ishte kjo e inceneratorëve, në çdo vend tjetër të botës do kishte rënë qeveria, ndërsa ti vazhdon i qetë…

Edi Rama: Je shumë gabim sepse në asnjë vend nuk do ndodhte kjo që thua ti pasi në vendet normale dhe sjelljet normale të çdo demokracie përcaktojnë që përgjegjësia është individuale dhe ndërkohë përsa  më takon mua, unë sa herë që ulem në mbledhjen e qeverisë, sidomos në fillim kam një shprehje, “vendet ku jeni ulur ua kanë dhënë, tani duhet t’i mbani”. Këtë vend ta japin dhe duhet ta mbash. E mban me punë dhe me rezultate. E kam thënë publikisht që në momentin që drejtësia i kërkon hesap dikujt ndër ne ai duhet të marrë avokat. Ne nuk jemi zyrë avokatie dhe çështjet me drejtësinë janë individuale, nuk janë çështje politike, as kolektive, as partiake. Për sa kohë ballafaqimi me drejtësinë vazhdon, ai që thirret në ballafaqim nuk ka punë me PS.