Kancelari gjerman Olaf Scholz ndodhet në Prishtinë për një vizitë zyrtare, etapa e parë e turit të tij në Ballkanin Perëndimor.

Kancelari evidentoi temat e nxehta mbi të cilat ka diskutuar me homologun e tij kosovar, Albin Kurtin, ku spikasin perspektiva e aderimit të Prishtinës në Bashkimin Europian, çështja e liberalizimit të vizave, por edhe qasja e Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë, ku Scholtz nënvizoi se Prishtina rreshtohet krahas aleatëve perëndimorë.

Një çështje e diskutuar është ajo e procesit të Berlinit, ku kancelari gjerman deklaroi se ai ka në mendje ta rijetësojë shumë shpejt. “Këtë vit, gjatë vjeshtës po mendoj për një konferencë në Berlin”, ishin fjalët e tij.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania i jep prioritet tregut të përbashkët rajonal, një nismë e cila bën bashkë vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

I pyetur nëse Gjermania mbështet Ballkanin e Hapur, nismë ku Kosova refuzon të të marrë pjesë, Scholz tha: “Dua ta them të qartë që për ne prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal, i cili mendoj se duhet të përparojë. Çështjet që janë pjesë e tij duhet të çohen përpara. Të gjithë duan të shkojnë në BE, edhe atje ekzistojnë dhe janë në fuqi rregullat e lëvizjes së lirë”.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të shkojë përpara, edhe në optikën e një periudhe të vështirë nga ana gjeopolitike.

“Marrëveshja duhet të jetë përfshirëse dhe e qëndrueshme, përmes dialogut politik. Dialogu i hap Prishtinës rrugën europiane, është një kusht i rëndësishëm,  si zgjidhja edhe e njohjes së Kosovës, është e paimagjinueshme që dy vende që nuk njohin njëra tjetrën të jenë pjesë e BE-së”.