Nga Pogradeci kreu i Kadastrës Artan Lame ka paralajmëruar të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje që të duhet të flenë të qetë. Ai thekson se i gjithë territori i vendit është i mbushur me ndërtime pa leje, por u bëri thirrje që të mos vazhdojnë më tej.

“Është vepruar me zonën bregdetare si fillim, pasi presioni i ndërtimit ka qenë më i madh, por për fat të keq ndërtime të tilla ka edhe në zona turistike liqenore, në Theth, zona pyjore, parqe, parkun e Divjakës kështu që kjo punë midis shumë institucioneve policisë, INUK, kadastrës do vijojë edhe në këto zona. As nuk dua të tremb njeri më shumë se ç’duhet, as nuk dua që njerëzit që e dinë deri ku e kanë bërë dëmin të flenë të qetë, por dua të them është se ata duhet të ndalen, stop mos vazhdoni. Kemi parë skena në Tv të dhimbshme duke i rënë kokës me grushte para kamerave kur të vjen fadroma tek dera dhe të thotë të kemi thënë 1,2,3 herë 5 apo 10 herë dhe e vetmja mënyrë për të dëgjuar është prishja më pas”.

Lame ishte në Pogradec, pasi aty ka nisur procesi i legalizimi i pallateve të braktisura.

“Legalizimi i pallateve të braktisura nga ndërtuesit është një histori suksesi në Tiranë dhe disa qytete të tjera. Për fat të keq në qytete që ne i quajmë të kategorisë 2, procesi ka ecur më ngadalë, kjo sepse kanë më pak kapacitete teknike, megjithëse me ligjin 20/20 procedura është më e thjeshtuar sërish ka qenë më e vështirë dhe u desh të marrim eksperiencën e Tiranës dhe ta aplikonim në këto qytete. Prandaj tashmë jemi në Pogradec ku kemi nisur legalizimin e pallateve të braktisura dhe më duhet të them që këtu ka shumë pallate të tilla. Pallate që kanë shkelur lejen, kanë tejkaluar lejen e ndërtimit, janë fare pa leje, nuk gjejmë ndërtuesit, apo ka falimentuar ndërtuesi dhe i ka braktisur. E filluam në Pogradec me një rast të lehtë pasi kishim ndërtuesin, por ka shumë raste të vështira të tjera. Duke qenë se është qytet turistik dhe ka pallate të tilla që i shërbejnë fluksit të turizmit dhe për pasojë duke mos pasur legalizim dhe certifikatë pronësie nuk i shesin dot tek kërkuesit nga qytetet e tjera”.