Një gjykatë holandeze urdhëroi qeverinë të martën të heqë menjëherë izolimin gjatë natës, të vendosur për të frenuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit, duke argumentuar se për këtë mungon baza ligjore.

Urdhri i gjykatës godet përpjekjet e qeverisë për të luftuar pandeminë e COVID-19, që vazhdimisht ka thënë se masat ishin të nevojshme për të parandaluar rritjen e infeksioneve për shkak të mutacioneve të reja më ngjitëse të virusit.

Gjykata mbështeti kërkesën e një grupi anti-izolim, që pretendoi se qeveria kishte tejkaluar kompetencat ekzekutive.

Sipas vendimit të qeverisë, vetëm ata që kishin nevoja të ngutshme mund të qarkullonin nga ora 21:00 deri në 4:30 të mëngjesit.

“Izolimi bazohet në ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme, kur nuk ka kohë të mjaftueshme për debat në parlament. Nuk ka ndonjë nevojë kaq të ngutshme në këtë rast. Masat duhet të bazohen në ligjet e duhura”, argumentoi gjykata.

Izolimi, i pari në Holandë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkaktoi trazira për disa ditë. Një zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë tha se vendimi do të studiohet, por refuzoi komentet e mëtejshme.

Sindikata e policisë tha se vendimi vë në dyshim vlefshmërinë e rreth 15,000 gjobave të vendosura për ata që e kishin injoruar izolimin.

Numri i infeksioneve nga koronavirusi në Holandë është stabilizuar javët e fundit, pas një rënie të qëndrueshme këtë vit. Numri i përgjithshëm i infeksioneve të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë tejkaloi 1 milion javën e kaluar, ndërsa në vend janë regjistruar rreth 15,000 viktima nga COVID-19.