“Lufta kundër Korrupsionit, njësoj si dekriminalizimi, është  jetike për Shqipërinë”. Kështu u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha këtë të mërkurë nga selia blu në një konferencë për mediat ku foli për korrupsionin e qeverisë dhe aferën e inceneratorëve.

Ai tha se PD e mbështet pa kushte drejtësinë në luftën kundër këtij armiku dhe kërkoi që afera e inceneratorëve të mos ndalet vetëm me arrestimin e Lefter Kokës.

Basha tha se edhe ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion dhe se partia e tij është e vendosur që ta luftojë edhe atë.

“Më mirë vonë se sa kurrë. Natyrisht do të donim dhe presim jo vetëm ne si opozitë, por të gjithë shqiptarët që kjo goditje të jetë e plotë dhe e vërtetë dhe të mos mjaftohet me “koka turku”. Lefter Koka nuk është thjesht një “kokë turku”, sepse është ministër i qeverisë Rama, por Lefter Koka nuk mund të bënte 17 vendime qeverie brenda ditës. Lefter Koka nuk mund të mblidhte të gjithë grupin parlamentar të PS me në krye Edi Ramën tek skena e krimit që ka sekuestruar prokuroria që është landflilli dhe incenetarori i Elbasanit. E mbani mend apo jo? Së katërti, edhe ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion: Jemi të vendosur ta luftojmë edhe atë për të ecur drejt të ardhmes që meritojnë dhe duan shqiptarët. Nuk mund të ketë ndryshim për shqiptarët pa patur një luftë pa kompromis dhe pa ngjyra politike kundër korrupsionit në nivele të larta. E di që shpesh kjo retorikë  mund të duket bajate, sepse sa herë që kemi dalë në denoncime, propaganda e kundërshtari, por jo vetëm edhe qytetarët kanë folur për korrupsionit të ish-qeverisjes sot e PD ka patur pjesën e saj në këtë plagë  të madhe për gjithë shoqërinë! Por ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga e kaluara jonë e keqe, dhe të zgjedhim të ardhmen që vetëm PD mund ta sjellë për shqiptarët”, tha Basha!

“Kam informacione konkrete për presione ndaj prokurorëve të SPAK, i ka edhe SHISH”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është shprehur gjatë ditës së sotme se ndaj prokurorëve ka pasur presione të jashtëzakonshme në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Basha, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se ka informacione konkrete, madje ka pretendime që edhe gazetarë kanë dëgjuar biseda e presione që i janë bërë prokurorëve të SPAK-ut në kafene.

Gazetari: Pak më herët në deklaratën tuaj thatë se prokurorët janë nën presion të jashtëzakonshëm për të mos vepruar. Pra zoti Basha ndaj prokurorëve të SPAK ndaj të cilëve është investuar siguri, mbrojtje, janë në presion të vazhdueshëm nga kush? Që të mos mbesë në kuadrin e një deklarate, keni ndonjë informacion nga kush?

Lulzim Basha: Kam informacione konkrete sigurisht dhe jam i bindur që informacione konkrete ka edhe SHISH, shërbimet partnere të SHISH në Shqipëri, edhe sektori përkatës në Policinë e Shtetit. Informacione ka edhe ai sektori brenda vetë SPAK-ut që merret me korrupsionin. Kanë qenë kaq ashiqare saqë pretendohet që edhe gazetarë kanë dëgjuar biseda, presione që i janë bërë prokurorëve të SPAK-ut në kafe, afër SPAK-ut. Unë jam kryetari i opozitës dhe jo kryeprokurori i Shqipërisë. Jam këtu për të shtyrë me të gjitha forcat mënyrat dhe mjetet transparencën dhe drejtësinë që të të bëjmë një ndarje me të shkuarën.