Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi ky i fundit deklaroi se kryeministri nuk e ka mendjen te problemet e shqiptarëve, por tek inceneratorët.

“Lulëzim, unë e di që Partia Demokratike ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, jo vetëm sepse një mbeturinë të komunizmit dhe një rrëmujaxhi patologjik e ka lider prej 30 vjetësh, po edhe sepse kurdo e kudo ka qeverisur plehrat i ka pasur male krenare! Por, do ti, s’do ti, doni ju, s’doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më“, shkruan Rama në Twitter.

“Prandaj Lulëzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë, akuzuar, shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill”, shtoi Rama.