Botërori i vitit 2022 në Katar do të luhet me stadiumet e mbushur me tifozë. Ky është konfirmimi i Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Gjatë takimit të zakonshëm me Organizatën Botërore të Shëndetësisë rreth pandemisë koronavirus, drejtuesi më i lartë i futbollit deklaroi: “Deri në atë kohë, do ta kemi mposhtur Covid-19. Gjatë vitit të ardhshëm, në Kupën e Botës në Katar, do t’i kemi stadiumet e mbushura”.

“Botërori do të jetë si gjithmonë një event magjik”, shtoi Infantino, i cili me gjithë vuajtjen globale që ka shkaktuar situata shëndetësore, është një prej njerëzve që kërkon me ngulm prezencën e publikut në impiantet sportive.

Aktiviteti në Katar, i pari në historinë e futbollit që do të zhvillohet në dimër, do të nisë më 21 nëntor 2022. Ndeshja hapëse do të luhet në stadiumin “Al Bayt”, me kapacitet 60 mijë vende, që do të presë edhe ceremoninë hapëse të Kupës së Botës. Evenimenti do të zgjasë diçka më pak se një muaj, me finalen që është programuar të zhvillohet më 18 dhjetor.

Ndryshe nga Europiani i spostuar për t’u zhvilluar gjatë këtij viti, ku ndeshjet do të luhen me dyer të mbyllura, deri në këto momente mendohet që në Katar publiku nuk do të mungojë. Një garanci të cilën FIFA e transmetoi nëpërmjet fjalëve të Infantinos dhe që vjen si një lajm i mirë në betejën kundër Covid-19.