Presidenti amerikan Donald Trump ka kaluar natën e dytë në spitalin ushtarak ku po trajtohet pasi u infektua me koronavirusin Covid-19.

Përmes një videoje, Trump thotë se është në gjendje të mirë dhe ditët në vijim do të jenë “prova e vërtetë” për të parë rikuperimin e tij. Kreu i Shtëpisë së Bardhë falenderoi mjekët dhe infermierët e spitalit ushtarak Walter Reed ku ai po trajtohet.

“Erdha këtu sepse nuk po ndihesha mirë, por tani jam shumë më mirë. Pas disa ditësh mendoj se do të jetë prova e vërtetë. Të shohim se çfarë do të ndodhë dy ditët e ardhshme”, tha Trump në një video 4-minutëshe të publikuar në Twitter, ku ndër të tjera shtoi se mezi po pret që t’i rikthehet fushatës elektorale përballë rivalit Joe Biden për zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit.

Mjeku i Presidentit tha gjatë ditës së shtunë se gjendja shëndetësore e Trump është e mirë. Ishte vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë që njoftoi dy ditë më parë se ai dhe bashkëshortja Melania Trump janë infektuar me Covid-19. Për shkak të infektimit, Donald Trump ka ndërprerë fushatën e tij elektorale.