Interi po bën një biznes të zgjuar në janar duke i dhënë Simone Inzaghit përforcime shumë të nevojshme përpara pjesës vendimtare të sezonit që fillon në shkurt me ndeshjet kyçe kundër Milanit, Napolit, Romës dhe Liverpoolit.

Kur Zikaltrit shikojnë prapa në fillim të vitit 2022, ata mund ta bëjnë këtë me krenari. Ndërsa hyjmë në pushimin ndërkombëtar, tabela e Serisë A e sheh Interin në krye, katër pikë larg Milanit dhe me një lojë më pak.

Ata kanë përparuar në Kupën e Italisë, kanë fituar Superkupën e Italisë dhe kanë pasur një lajm të mirë edhe në frontin e transferimeve. Beppe Marotta siguroi një marrëveshje për të nënshkruar me Robin Gosens, ndoshta mbrojtësi i majtë më i mirë në Serie A gjatë sezoneve të fundit. Reprezentuesi gjerman i bashkohet Benamata-s në një marrëveshje fillestare huazimi me një detyrim për të blerë për 25-27 milionë euro. Një pazar i vërtetë.

Felipe Caicedo është gjithashtu në prag të bashkimit me klubin, duke i dhënë Simone Inzaghit një opsion më shumë përpara, duke qenë se Joaquin Correa është larg fushave për një muaj dhe Zikaltrit kanë takime vendimtare që i presin në shkurt që mund ti japin formë përfundimtare sezonit tyre fantastik.

Javët e fundit Interit nuk i ka munguar mentaliteti fitues. Ky mentalitet do të duhet të jetë në fuqi për muajin në vijim pasi premton të jetë edhe më i vështirë se ai që sapo lamë pas. Sfidat me rivalët direkt do jenë të shumta dhe një pas një. Çdo ndeshje ka një peshë dhe pritshmëri të caktuar. E para është një ndeshje që duhet fituar gjithmonë, Derbi i Madonnina-s. Është edhe më e rëndësishme tani pasi Milani është një rival i drejtpërdrejtë për titullin dhe tre pikët janë jetike për t’u larguar më tej.

Detyra është e madhe dhe shkurti do të jetë një muaj kyç për të kuptuar ambiciet e Interit në Itali dhe Europë. Në letër, ata janë skuadra më e mirë në Serie A, por kjo nuk do të thotë që ta japin titullin si të mirëqenë. Përkundrazi, aktiviteti transferues i Interit dëshmon se Zikaltrit po bëjnë gjithçka që munden për të ngritur shiritin dhe për të qenë konkurrues në të gjitha frontet në pjesën e dytë të sezonit.

Gosens do të jetë më shumë se një alternativë ndaj Ivan Perisic në të majtë, por mbetet për t’u parë se kur do të jetë në gjendje të bëjë debutimin e tij me kampionët e Serie A, duke qenë se ai ka katër muaj jashtë fushës për shkak të një dëmtimi në kofshë. Megjithatë, është një nënshkrim i zgjuar për të tashmen dhe të ardhmen e Interit, duke qenë se 27-vjeçari është në kulmin e karrierës së tij.

Caicedo është një sulmues me përvojë me dëshmuar në Serie A dhe lidhja e tij me Inzaghin ka qenë e fortë që nga koha e tyre në Romë. Ndërkombëtari i Ekuadorit është lojtari stoli i përsosur. Ai nuk ankohet për mungesën e kohës së lojës, por jep ndihmë thelbësore në fushë, veçanërisht në minutat e fundit.

Interi i këtij sezoni është një përmirësim i Interit të sezonit të kaluar pasi po luhet një futboll më atraktiv edhe pse i ikën 2 lojtarët më kyç dhe trajneri, madje kaluan për herë të parë pas një dekade grupin e Ligës së Kampionëve, vetëm një vit pasi Conte dështoi dhe u shpreh se Interi nuk ishte në nivele futbolli europian, siç duket Conte bëri disa llogari gabim. Muaj sfidues e presin Interin në vijim por Inzaghi me djemtë e tij i mirëpresin sfidat.