Pas marrjes në pyetje, vëllezërit e autorit të krimit në Klos, Fatmir e Besnik Mjeshtri janë lënë të lirë. Dy vëllezërit e autorit të masakrës kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit.

Ata ndodheshin në lokalin ku do të takoheshin me të plagosurit rëndë dhe dy viktimat. Kenado dhe Liri Shira, babë e bir mbetën të vrarë nga breshëria e plumbave, ndërsa Eglantin dhe Renato Hasula të plagosur. Fiqiri Mjeshtri dyshohet se vrau veten pas krimit.

Vëllezërit e tij, Fatmir dhe Besnik Mjeshtri u shoqëruan dje në ambientet e policisë. Ditën e sotme, pas marrjes në pyetje ata janë liruar.

Shkak i konfliktit dyshohet se u bë vajza 17-vjeçare e Fiqiri Mjeshtrit. Mësohet se dy të miturit, Kenado Shira dhe Renado Hasula, njiheshin me vajzën e Fiqiriut. Madje e mitura pretendon se përndiqej dhe kërcënohej nga dy bashkëmoshatarët, kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Tre javë më parë është diskutuar dhe sqaruar mes familjeve kjo histori dhe konsiderohej e mbyllur. Pesë ditë para masakrës me tre viktima dhe dy të plagosur, mendohet se Renado Hasula ka rinisur ta kërcënojë të miturën. Ajo i tregoi të atit çfarë po ndodhte, teksa ky i fundit ka thirrur të atin e Kenados, Liri Shira dhe vëllain e vet, Fatmirin, për të sqaruar situatën. Në kafenenë ku janë takuar nisi dhe debati që përfundoi në të shtëna me armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 5 gëzhoja, por pistoleta tip TT u shkrep shtatë herë. Të fundin plumb Fiqiri Mjeshtri e përdori ndaj vetes.