Ambasada amerikane ka reaguar përmes një postimi të shkurtër në Twitter pas shkarkimit të Gledis Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara, si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, thuhet në postim.

Gjatë paradites, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi largimin nga detyra të Nanos, duke ia lënë përkohësisht detyrën e drejtimit të Policisë, nëndrejtorit Tonin Vocaj.

“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishim vënë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin, detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt besoj që do t’ju lajmërojmë dhe për emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit”, deklaroi Çuçi.