Nga kjo e mërkurë Gledis Nano nuk është më në krye të Policisë së Shtetit. Shkarkimin e tij nga detyra e komunikoi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pas mbledhjes së qeverisë së mbajtur mëngjesin e kësaj të mërkure.

Sipas ministrit të Brendshëm, shkarkimi vjen për mospërmbushje të objektivave të caktuara.

“Qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit”.

Vendin e Gledis Nanos përkohësisht do ta mbajë Tonin Vocaj, si drejtor i komanduar. Ndërsa shumë shpejt pritet të bëhet edhe emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për të cilin përfliten shumë emra, ndër të cilëve është edhe ai kreut aktual të AMP, Muhamet Rrumbullaku.

Shkarkimi i Nanos vjen 10 muaj pas emërimit në krye të uniformave blu.

Gledis Nano erdhi në krye të policisë pas disa vitesh në drejtimin e njësisë Anti-Terror në Policinë e Shtetit. Në postin e Drejtorit të Përgjithshëm Nano pasoi Ardi Veliun i cili në krye të uniformave blu qëndroi rreth 3 vite e 7 muaj.