Italia ka shtrënguar dhe më tej masat kundër koronavirusit, pas rritjes rekord që kanë pësuar shifrat e rasteve të reja dhe viktimat.

Edhe pse në shumë qytete kryesore tashmë ka reagime nga qytetarët kundër masave sidomos atyre të ndalim qarkullimit, kryeministri Giuseppe Conte e ka nënshkruar të dielën dekretin e ri në lidhje me pandeminë.

Kështu në këtë dekret parashikohet mbyllja e të gjithë lokaleve dhe restoranteve pas orës 18:00 të mbrëmjes (të dielën do të jenë të hapura). Nuk do të lejohen grumbullimet në mjedise të hapura dhe të mbyllura. Mbyllen teatrot, pishinat, kinematë etj.

Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga e hëna dhe do të qëndrojnë të paktën deri më 24 nëntor.

Roma në flakë, protestohet kundër masave anti-Covid

Pas trazirave dhe përleshjeve në Napoli, protestat kundër masave shtrënguese të qeverisë për të parandaluar përhapjen e pandemisë u transferuan në Romë.

Mijëra njerëz u grumbulluan të shtunën në darkë në “Sheshin e Popullit”, në qendër të kryeqendrës italiane për të protestuar kundër masave anti-Covid dhe ndalimit të qarkullimit.

Në mesnatë u regjistruan dhe përplasjet me forcat e rendit, kur këto të fundit iu kërkuan të pranishmëve që të largoheshin për në shtëpi. Në drejtim të policisë u hodhën fishekzjarrë dhe sende të forta, ndërkohë që kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Dhjetëra persona u arrestuan.

Manifestuesit më pas u zhvendosën në një shesh tjetër duke thërritur “Thuaji jo diktaturës sanitare” gjatë marshimit të tyre.