Në datë 8 maj 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka prezantuar në një takim të zhvilluar në mjediset e hotel “Rogner”, gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të performancës me temë “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, 2016-2021.
Auditimi është kryer në kuadër të projektit “Financimi transformues për barazinë gjinore drejt një
qeverisje më tranparente, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga qeveria e Suedisë (SIDA) me mbështetjen teknike të UN Women në Shqipëri.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, z. Michele Ribotta,
përgjegjësja e Zyrës së Bashkëpunimit Suedez për Zhvillim në Shqipëri, znj.Petra Burcher,
përfaqësues nga subjektet e audituara, auditues të KLSH- së etj.
Në fjalën e tij, kreu i KLSH-së, z.Arben Shehu, theksoi se përfshirja e çështjeve gjinore në politika të nivelit qendror e vendor, përveç hartimit të programeve të duhura, nuk mund të realizohen pa alokimin e buxheteve përkatëse.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit i qëndron parimit se politikat e pashoqëruara me buxhete efikase,
mbeten të parealizueshme dhe nuk ndikojnë në zbutjen e pabarazive gjinore në shoqëri” – u shpreh
z. Shehu.
Kreu i KLSH-së, siguroi angazhimin e mëtejshëm të institucionit për të kontribuar në vlerësimin e eficiencës dhe efikasitetit të programeve të barazisë gjinore, duke ndihmuar në evidentimin e mangësive në implementimin e këtyre programeve, por edhe duke dhënë rekomandimet përkatëse për përmirësimin e situatës me impakt konkret për barazinë gjinore.
“KLSH çmon veçanërisht se sigurimi i integritetit të grave dhe vajzave, nxitja e të drejtave të tyre
social-ekonomike, mbështetja e grupeve të pa favorizuara, duhet të jenë në qendër të politikave,
që ndikojnë në përmirësimin e barazisë gjinore, zhdukjen e varfërisë dhënien e mundësive të
barabarta dhe progresin e vazhdueshëm të shoqërisë sonë” – theksoi z.Shehu.

Z. Michele Ribotta, vlerësoi bashkëpunimin me Kontrollin e Lartë të Shtetit.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit luan një rol të rëndësishëm në forcimin e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies
ndaj angazhimeve për barazinë gjinore në menaxhimin e fondeve publike”, u shpreh zoti Ribotta.
Në fjalën e saj zonja Burcher, falënderoi Kontrollin e Lartë të Shtetit për punën e kryer në auditimin
“Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, duke theksuar se roli i KLSH-së është strategjik për
kontrolluar efikasitetin e politikave të barazisë gjinore.

Auditimi i performancës “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri” ka pasur si objektiv vlerësimin
e efektivitetit të veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për konkretizimin e fuqizimit ekonomik të gruas në vendin tonë nisur nga Ligji për Barazinë Gjinore, zbatimi i strategjive të barazisë gjinore dhe buxhetimi i përgjithshëm gjinor, kryesisht në fushën e punësimit dhe zhvillimit
bujqësor rural, për periudhën 2016-2021.