Demokratët e Shteteve të Bashkuara emëruan zyrtarisht të martën ish nënpresidentin, Joe Biden, për kandidatin e tyre në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në një mbrëmje tjetër gjatë së cilës republikanë të shquar ju bashkuan kritikave të demokratëve ndaj presidentit Donald Trump, derisa vlerësuan aftësitë udhëheqëse të zotit Biden.

Ish nënpresidenti Biden ishte kandidati i supozuar i partisë për muaj të tërë pasi mbizotëroi një grup demokratësh që shpresonin të kandidohen për president në votimet paraprake, duke përfshirë këtu edhe rivalin e tij senatorin e Vermontit, Bernie Sanders.

Biden tha se emërimi “do të thotë shumë për mua dhe familjen time dhe unë do t’ju shoh të enjten”, duke nënkuptuar fjalimin që pritet ta mbajë derisa pranon emërimin në natën e fundit të Konventës Kombëtare.

Derisa demokratët u mblodhën në mënyrë virtuale, Trump udhëtoi të martën në dy shtete kryesore të fushës së betejës, Iowa dhe Arizona, ku u përpoq të inkurajojë gratë votuese, ndërsa me herët fali veprimtaren Susan B. Anthony, e cila luftoi për të drejtën e votës për gratë amerikane dhe u shpall fajtore se kishte votuar në mënyrë të paligjshme në vitin1872.

Bashkëshortja e zotit Biden, Jill, tha që nëse do të zgjidhej, burri i saj do të sillte në Shtëpinë e Bardhë “udhëheqjen e denjë për kombin tonë” në kohën e një pandemie historike të koronavirusit dhe të një depresioni ekonomik.

“Ka nga ata që duan të na thonë se vendi ynë është i ndarë në mënyrë të pashpresë, se dallimet tona janë të pakalueshme. Por, kjo nuk është ajo që kam parë gjatë këtyre muajve”, tha Jill Biden.

“Ne po bashkohemi dhe po mbështetemi tek njëri tjetri. Ne po gjejmë mëshirë dhe mirësi në momentet që dikur mund t’i kemi marrë si të mirëqena. Ne po shohim që dallimet tona janë të çmuara dhe ngjashmëritë tona janë të pafundme”, tha ajo.

“Ne kemi treguar që zemra e këtij kombi rrah ende me mirësi dhe guxim. Ky është shpirti i Amerikës për të cilën po lufton Joe Biden tani për tani”, tha ajo, duke mbajtur fjalimin e saj nga një klasë në shkollën e mesme, ku dikur mësonte në Wilmington, Delaware.