“Është jetike që procesi i vetingut të përfundojë sa më shpejt, por duke ruajtur integritetin e procesit. Kjo do të dojë zgjatje të mandatit të anëtarëve të KPK dhe komisionerëve publikë“. Kështu u shpreh në fjalën e tij gjatë një aktiviteti të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kreu i delegacionit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, i cili shtoi se ka dosje që duhet të trajtohen në mënyrë urgjente. Sipas tij, reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe kryefjala e kësaj faze duhet të jetë konsolidimi.

“Ata që e ideuan këtë reformë e dinin që nuk do të ishte e lehtë dhe e thjeshtë. 5 vitet e fundit kanë konfirmuar se reforma ishte e domosdoshme, kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë që të kalojë nga e shkuara drejt së ardhmes. Reforma në Drejtësi ka sjellë frytet e saj të paimagjinueshme para 5 vjetësh, p.sh. kemi 23 procedime të ish-magjistratëve, SPAK ka dërguar çështje në gjykatë të ish-Gjykatave më të larta të vendit. E rëndësishme është që kemi institucione të drejtësisë funksionale si KLP dhe KLGJ. Së shpejti, do të takohem me deputetët e mazhorancës dhe opozitën, pas takimit që pata me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për ecurinë e reformës së drejtësisë. Ka dosje që duhet të trajtohen në mënyrë urgjente, dosjet të shqyrtohen në afatin më të shpejtë. Është thelbësor të shihet roli i shkollës së magjistraturës. Është jetike që procesi i vetingut të përfundojë sa më shpejt, por duke ruajtur integritetin e procesit. Kjo do të kërkojë zgjatje të mandatit të anëtarëve të KPK-së dhe komisionerëve publikë. Por Kuvendi duhet ta konsultojë me të gjithë aktorët për të përcaktuar afatet. Kryefjala e kësaj faze të dytë të reformës në drejtësi duhet të jetë konsolidim”.

Kjo deklaratë e ambasadorit europian, vjen pasi organeve të vetingut u skadon afati në qershor të vitit 2022, ndërkohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.