Kongresi në SHBA është mbyllur nga policia pas ndërhyrjes në ambientet e brendshme nga ana e protestuesve dhe mbështetësve pro Presidentit në detyrë Donald Trump.

Protestuesit kaluan barrikadat e sigurisë përreth godinës së Capitol Hill dhe u futën në ambientet e brendshme ku po zhvillohej seanca për certifikimin e rezultatit të Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e Joe Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale.

Një grua ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi është qëlluar me armë në gjoks në Kapitol. Nuk dihen rrethanat.

Mediat raportojnë se pjesa më e madhe e anëtarëve të dy dhomave të Kongresit janë evakuuar. Kongresmeni republikan McCarthy raporton të shtëna brenda godinës.

Presidenti Trump përmes një statusi në Tëitter iu bëri thirrje protestuesve të mbështesin forcat e policisë. Ndërsa në një tjetër mesazh në Twitter ai shkruante: “Ruani qetësinë. Ne jemi partia e ligjit dhe rregullave. Respektoni uniformat blu”.

Senatori republikan Ted Cruz deklaroi: “Ata që kanë hyrë në Kapitol duhet t’i japin fund. Kushtetuta e mbron protestën, por dhuna është gjithnjë e gabuar”.

Para trazirave, Presidenti Trump foli përpara mbështetësve të tij dhe vijoi me akuzat për zgjedhjen e zgjedhjeve dhe nuk ka pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi, nuk do të pranojmë kurrë. Ne do të ndalojmë vjedhjen”, ishin këto fjalët e Trump gjatë një fjalimi të mbajtur pranë Shtëpisë së Bardhë.