Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka dalë në një konferencë për shtyp pas kaosit dhe trazirave që po ndodhin në Uashington, ku protestuesit kanë hyrë brenda Kongresit amerikan.

Joe Biden tha se ngjarjet që po ndodhin janë në kufijtë e kryengritjes dhe kjo situatë duhet të marrë fund.

“Më lejoni të jem i qartë, skenat e kaosit në Kongres nuk përfaqësojnë atë që jemi ne. Ajo që po shohim është një numër i vogël ekstremistësh të përkushtuar ndaj paligjshmërisë. Kjo nuk është mosdakordësi, është çrregullim. Është në kufijtë e kryengritjes dhe duhet të marrë fund tani.

I kërkoj presidentit Trump që të dalë në televizion që të mbajë betimin e tij ndaj Kushtetutës dhe të kërkojë që kjo kapje e Kapitolit të përfundojë. Është kërcënuar siguria e zyrtarëve. Jam i shokuar që kombi ynë që ishte një fanar ndriçues i demokracisë në botë ka mbërritur deri këtu”, tha Biden.

Trump-protestuesve: Shkoni në shtëpi, askush nuk duhet të lëndohet

Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur me një video-mesazh duke u bërë thirrje protestuesve që të largohen nga Kongresi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, edhe në këtë mesazh drejtuar mbështetësve, përsëriti se zgjedhjet presidenciale janë vjedhur, megjithatë ai u shpreh se është e rëndësishme që të mos ketë asnjë të lënduar.

“E di që keni dhimbje, e di që jeni lënduar. Patëm zgjedhje që na u vodhën. Por duhet të shkoni në shtëpi tani, duhet të ruajmë paqen, duhet të kemi rend kushtetues, duhet të respektojmë njerëzit e ligjit. Nuk duam që askush të lëndohet, është një kohë shumë e vështirë. Nuk ka patur asnjëherë kohë të ngjashme si kjo, të ndodhte diçka e tillë. Duhet të kemi paqe, kështu që shkoni në shtëpi. Ju duam, jeni të veçantë, e keni parë se çfarë ka ndodhur. E kuptoj si ndiheni, por shkoni në shtëpi”, tha Trump ndër të tjera.