Pamje të rënda janë publikuar së fundmi në rrjetet sociale meksikane, ku banditë të një karteli drogash “marrin në pyetje” rreth 20 rivalë të kapur peng e të gjunjëzuar, para se t’i ekzekutojnë.

Mediat vendase thonin se katër nga trupat e të ekzekutuarve u gjetën më vonë të copëtuar para zyrës së kryebashkiakut të sapo-zgjedhur, në fushatën brutale të terrorit.

Ekzekutimi masiv është kryer nga anëtarë të kartelit meksikan Los Tlacos, i cili pretendonte më herët se grupi rival La Bandera është përgjegjës për pengmarrjen dhe masakrën e 43 studentëve në qytezën Ayotzinapa në vitin 2014.

Në videon shtatë-minutëshe shihen rreth 20 anëtarë të bandës Bandera të rreshtuar në gjunjë, teksa një njeri i maskuar ecën para tyre duke u vendosur individualisht grykën e pistoletës në ballë.

Ai vendos armën në kokën e një prej tyre, e pyet për emrin dhe se cili është shefi i tij.

Më tej ai zhvendoset dhe përsërit pyetjet te i gjunjëzuari i radhës.

Në komentet e pamjeve banda e Los Tlacos tha: “Banorë të Iguala, këta këtu janë ata që ju zhvasin dhe që vrasin burra e gra të pafajshme. Këta janë plehrat që kanë terrorizuar qytetin tuaj të bukur”.

“Ne ua thamë atyre, dhe tani koha erdhi, ky shesh ka një pronar tani.”

Sipas të përditshmes El Pais, karteli kishte publikuar videon disa orë pasi kishte hedhur para bashkisë trupat e katër të ekzekutuarve, dje, të enjten më 30 shtator.

Dhe në fakt një nga trupat u identifikua si Luis Ángel, i cili po hetohej për vrasje të dyfishtë.

Nuk ishte e qartë nëse janë gjetur të gjithë trupat e 16 viktimave të tjera.

Sipas raportimeve, një nga banditët e armatosur akuzonte kryebashkiakun se ishte palë me kreun famëkeq të La Bandero, Jesús ‘Chucho’ Brito.

Prokuroria e shtetit meksikan të Guerrero dha një deklaratë mbi ngjarjen: “Prokuroria e përgjithshme do të vazhdojë hetimet për të gjetur përgjegjësit e këtij kati kriminal në veri të shtetit”.