Përshkallëzim dramatik ushtarak në Kanalin e Le Manshit: Londra dërgon anijet mbretërore për të mbrojtur ishullin nga një bllokadë detare e paralajmëruar nga peshkatarët francezë. Një krizë që Johnson synon ta shfrytëzojë edhe për qëllime elektorale dhe që tregon tensionet në rritje mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkit Europian.

Boris Johnson ka dërguar dy anije lufte përballë ishullit të Jersey, territor britanik përballë brigjeve të Francës, për ta mbrojtur nga një bllokadë detare të paralajmëruar nga peshkatarët bretonë dhe normanë.

Dy anijet e armatosura kanë nisur këto orë të patrullojë ujërat pranë ishullit, të gatshme të përballe me peshkarexhat franceze që kanë mbështetjen e presidentit Macron që ka dërguar një anije ushtarake të flotës së Parisit. Është një përballje që rrezikon të degjenerojë.

Mosmarrëveshja mbi ishullin Jersey

Mosmarrëveshja e ka origjinën nga marrëveshja mbi peshkimin në kuadër të Brexit: peshkatarët europianë kanë marrë lejen për të peshkuar në ujërat britanike deri në 2026, por barkat duhet të demonstrojnë se kanë operuar në të kaluarën në këto ujëra.

Autoritet e Jersey në bazë të kësaj pike kanë ndaluar aksesin e dhjetërave anijeve franceze peshkimi, duke shkaktuar një valë zemërimi të madh. Një flotë prej 60 barkash ishte e gatshme të lundronte drejt Jersey për të bllokuar portin me thirrjen “do të vëmë Jersey në gjunjë”.

Madje, para dy ditësh ishte pikërisht qeveria franceze që kishte kërcënuar ti ndërpriste energjinë elektrike ishullit, që varet nga kontinenti për furnizimet e saj. “Madje edhe nazistët e patën lënë dritën ndezur”, komentuan nga Londra, duke iu referuar pushtimit gjerman gjatë luftës.

Tensionet mes Britanisë së Madhe dhe Europës

Në këtë pikë, Johnson nuk ka humbur rastin për të përfituar një divident politik, edhe në këndvështrimin e zgjedhjeve të rëndësishme administrative që zhvillohen pikërisht sot në Britaninë e Madhe.

Është një mini-krizë alla Falklands, nëse duam ta quajmë kështu: edhe në atë rast Margaret Thatcher përdori një ekspeditë lufte për të shpëtuar fatin e qeverisë së saj. Sigurisht që shpresohet që mos të arrihet në një përplasje të armatosur. Por dramaticiteti i tensionit është një tjetër sinjal që tregon se si në këto muaj raporti mes Britanisë së Madhe dhe Europës është përkeqësuar: nga mosmarrëveshja për vaksinat te përballja doganore në Irlandë e Veriut. Marrëdhënia e Londrës me Kontinentin ka hyrë tashmë në një spirale në rritje armiqësie. Tani kanë hyrë në skenë edhe anijet e luftës: shenjat nuk janë të mira.