Nga Ilir Mborja 

Midis kartolinash të shumta për t’u uruar miqve Vitin e Ri 2022, për Ju z. Albin Kurti dhe, nëpërmjet Jush, të gjithë shqiptarëve që janë kundër nismës për “Ballkanin e Hapur”, vendosa t’Ju dërgoj këtë që paraqet Babagjyshin e Vitit të Ri me syze optike. Shpjegimin, se përse zgjodha pikërisht këtë pamje, e keni në tekstin që përmban kjo kartolinë:

I nderuar Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti!

Më lejoni t’Ju uroj Ju dhe, nëpërmjet Jush, të gjithë kosovarët: Gëzuar Vitin e Ri 2022!

Fillimisht po Ju shpjegoj se përzgjedhja ime e kësaj kartoline me pamjen që paraqet Babagjyshin e Vitit të Ri me syze optike, nuk ishte e krejt e rastësishme. Nga portreti i tij kuptohet se, për të parë atë që ka afër, atij nuk i duhen hiç syzet. Ato duket se i ka vetëm për të parë larg. Prandaj, për ne që na ka në prag të hundës, Babagjyshi i ka ulur syzet dhe na vështron ashtu çuditshëm. Ky për mua është një mesazh që kam dëshirë t’Jua përcjell edhe Juve dhe gjithë atyre shqiptarëve që janë kundër nismës për “Ballkanin e Hapur” që mund të krahasohet me atë të rrëfenjës së vjetër shqiptare, të cilën po Jua përcjell siç ma kanë rrëfyer:

“Diku, dikur, në një ditë prej ditëve të fundit të një viti që po ikte dhe në pragun e një tjetri që po vinte, një plak me pamjen e Babagjyshit të Vitit të Ri ndaloi në pragun e kasolles së një fshatari të varfër.

“Jam FATI juaj. A pranoni si dhuratë prej meje një shtëpi të re dhe të madhe që të ndjeheni mirë ju dhe fëmijët e tu? A pranoni një lopë, dhjetë dele, një pendë qe,…? Por duhet të kesh parasysh një gjë! Dyfishin e asaj që do të t’ju dhuroj ju, do t’ia dhuroj edhe komshiut tënd që keni këtu ngjitur.” – i tha FATI fshatarit të varfër dhe bëri me kokë nga sarajet e komshiut të kamur.

Fshatari i varfër u përtyp, se, duket nuk e përcillte dot pështymën që i ngeci në fyt kur bëri hesap, se, po të pranonte dhuratën e FATIT,  sa shumë do të fitonte komshiu i tij i kamur… Pas pak çastesh arriti t’i thotë FATIT të tij këto fjalë: “I dashur FATI im! Mund të më lejoni sonte të mendohem dhe t’ju kthej përgjigje nesër?”

“Po” iu përgjigj FATI kërkesës së çuditshme të fshatarit të varfër dhe, kur i shkoi të nesërmen në prag të kasolles, dëgjoi nga goja e tij këto fjalë:

“FATI im! Kërkoj nga ju të më nxirrni njërin sy! Kaq dua.””

*

Rrëfenja këtu mbaron dhe nuk dihet se ç’u bë me njërin sy të fshatarit të varfër dhe dy sytë e komshiut të tij të kamur… Por me siguri, FATI i tij në atë çast ka pasur pamjen e habitur të Babagjyshit të Vitit të Ri, m’u si tek kjo kartolinë. Prandaj, i nderuar z. Kryeministër, që Babagjyshi i ardhshëm të mos habitet më me kërkesa, të cilat për nismën e Ballkanit të Hapur nisen nga llogaritë se sa shumë fitojnë komshinjtë, bashkë me urimin tim për Vitin e Ri 2022, Ju lutem Juve të pranoni edhe këshillën time modeste: Ju nuk duhet të silleni si fshatari i varfër i rrëfenjës, që, kur i shkeli FATI në prag ngatërroi pragmatizmin me pragun e kasolles së vet…