Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se opozita duhet të marrë pjesë me koalicion në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke paralajmëruar një bashkëpunim me Partinë e Lirisë, të drejtuar nga Ilir Meta.

“Koalicion unë vlerësoj se do të ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do jetë në këtë koalicion për Partinë Demokratike, aksionet e PD, ato të gjitha do të zgjidhen me primare. Ne nuk heqim dorë kurrsesi. Ne konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht”, tha kreu i PD në një konferencë për mediat.

Berisha sqaroi edhe idenë e tij për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. “Cilido që është deputet i PD dhe dëshiron të kandidojë është i mirëpritur t’i nënshtrohet primareve. Kryetari i PD dhe Kryesia de facto nuk kanë më asnjë pushtet mbi kandidaturat që plotësojnë kriteret nga dekriminalizimi. Ata që plotësojnë kriteret do të jenë të mirëpritur në këtë garë”.

Sali Berisha ka komentuar edhe nismën ligjore të Partisë Socialiste, për ndryshimin e ligjit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se Partia Socialiste po bën një ligj kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Sipas Berishës, kjo është e bazuar vetëm në shpifje dhe se Meta nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

“Atë që bën Partia Socialiste, duket se është një ligj, që po ta quajmë ndryshe është ligj anti-Meta, e cila bazohet në një shpifje të qartë, të hedhur poshtë nga autori për të cilin akuzohet Meta. Atëherë, në qoftë se Partia Socialiste është e gatshme të kthejë ligjin e lustracionit, Autoriteti i Dosjeve ekziston, Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet për lustracionin. Nëse jemi të vendosur për të bërë lustracionin, ligji duhet të ketë për institucion, një institucion të veçantë, atë të hapjes së dosjeve”, theksoi ai.