Katër persona kanë ndërruar jetë gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri duke e çuar në 338 numrin viktimave. Viktimat janë një 59-vjeçar dhe një 78-vjeçar nga Tirana, një 71-vjeçare nga Shkodra dhe një 76-vjeçar nga Lezha.

Rastet e reja

Ndërkohë 167 persona kanë rezultuar pozitivë ndaj COVID-19 nga 862 testime.

Të prekurit e 24 orëve të fundit janë identifikuar në këto qytete:

88 raste në Tiranë, 11 në Durrës, 9 në Lezhë, 8 në Elbasan, nga 7 raste Korçë, Fushë-Arrëz, 6 në Krujë, 5 në Vlorë, nga 4 raste Shkodër, Berat, 3 në Gramsh, nga 2 raste në Librazhd, Tepelenë, Bulqizë, Kuçovë, nga 1 rast në Kurbin, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Dibër, Malësi e Madhe, Memaliaj.

Ndërsa 46 qytetarë rezultojnë të shëruar.

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 179 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.

Apeli

“Nisja e vitit të ri shkollor është një sfidë për strukturat arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë në gatishmëri, por kërkohet kontributi dhe bashkëpunimi i nxënësve e prindërve, mësuesve, për të zbatuar rregullat e vendosura dhe për të sinjalizuar në kohë çdo rast të dyshuar, për të frenuar përhapjen e COVID19.

Prindërit duhet t’i masin çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë.

Për çdo shqetësim, mësuesit duhet të kontaktojnë koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Ndërsa nxënësit, nëse gjatë qëndrimit në klasë kanë një shqetësim nga ana shëndetësore, të lajmërojnë menjëherë mësuesin e tyre“, apeloi dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë.