Tregim nga Vasil KLIRONOMI

Kostaqi, ishe djalë i qeshur me të gjithë, por jo nga të gjithë i dashur. Idhtar i liberalizmit ashtu siç e kuptonte ai liberalizmin dhe adhurues për gjithçka të bukur që i shikonte syri. Në kohën e monizmit, një mbrëmje me një shokun e vet, vunë re se qielli mbi Korfuz ndriçohej. Shoku këmbëngulte se ndriçohej nga perëndimi i diellit, ndërsa Kostaqi e sqaronte se dielli kish dy orë që kish perënduar; qielli ndriçohej nga dritat e qytetit. Kish dhe një mani Kostaqi: Donte t’i dëgjohej zëri dhe me që jo të gjithë ia vinin veshin, ngrinte zërin kur të tjerët pushonin. Këtë, e aplikonte sidomos në stadiumin e volejbollit. Kur arbitri bënte ndonjë padrejtësi dhe të gjithë tifozët çoheshin dhe e shanin, Kostaqi çohej dhe e shante, kur të gjithë kishin pushuar. Kostaqit nuk i pëlqente gjithashtu të ishte i ngjashëm me të tjerët; në se të gjithë mbaheshin të rregullt në veshje dhe me fytyrë të rruar, Kostaqi linte mjekër dhe qarkullonte i veshur me një xhins, që e kishte çjerr vetë te gjunjët. I folën për mjekrën, por Kostaqi u justifikua: «Kini shumë të drejtë, por brisku më infekton lëkurën.»
Një mëngjes, kish dalë anëdetit për oktapodë, kur ç’ të shikonte! Midis tre gurëve, një këpucë atletike e përdorur, por e mirëmbajtur. Ngjyra e kuqe e ndezur, vijat blu në të dyja anët e këpucës, sorkadhi i artë poshtë lidhëses si dhe forma, e bënin të veçante nga ato që prodhoheshin në fabrikat e vendit. Fitoi një gëzim të brendshëm nga ajo që po shikonte dhe që nuk e priste. Si e mori në duar, donte të thërriste; të mos e dëgjonte kush, futi kokën në boshllëkun e një shpelle dhe duke shtrënguar këpucën në gjoks me të dyja duart, thirri: «Është fati im, është fati im!» Vetëm kur u qetësua pyeti veten: «Nga mund të ketë ardhur dhe pse vetëm një këpucë?» Kërkoi gjatë bregut për tjetrën, por nuk e gjeti. «Kush e di?» mendoi. «Dikush do të jetë zënë në tragetet e huaja që shkojnë matanë kufirit. Nga inati, nxorri këpucën dhe qëlloi tjetrin; ky i fundi uli kokën dhe këpuca përfundoi në det.» Si u sigurua se këpuca tjetër do të kish humbur në ndonjë nga skutat e tragetit, provoi nëse i bënte ajo që gjeti…

Në pasdite, doli nga shtëpia me paterica dhe njërën këmbë të lidhur me fasha, ndërsa në tjetrën, kishte veshur këpucën me sorkadhin e artë poshtë lidhëses.

_____