“Hetimet për ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kanë shkuar deri në Poloni, aty ku mendohet se janë transferuar para”. Kështu deklaroi sot në studion e “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News, gazetarja e kronikës, Klodiana Lala.

E ftuar për të folur për krimin kibernetik si dhe për dosjet e nxehta të SPAK në lidhje me politikanët, Lala dha detaje në lidhje me hetimet që Prokuroria e Posaçme ka nisur për Ilir Beqajn.

“Zhvillime të qenësishme dhe rëndësishme për ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u duk sikur shpëtoi përfundimisht nga Koncesioni i Sterilizimit, por ka një hetim të ri për abuzimet me fondet e agjencisë SASPAC që ai drejtonte. SASPAC është agjencia që koordinonte ndihmat, apo fondet e huaja që vinin nga jashtë vendit dhe që ka dyshime të forta sipas SPAK, jo vetëm për abuzime, por edhe lidhje klienteliste me kompani farmaceutike, por edhe për fshehjen e pasurisë.

Hetimet në këtë drejtim janë duke ecur në mënyrë të vrullshme, por ka pasur të dhëna të reja dhe kam informacione se në zyrën e SASPAC në zyrën e Beqajt janë gjetur dosje, që nuk kishin të bënin fare me SASPAC, por dosje që kishin të bënin me kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Shëndetësisë. Unë e pyeta Z. Beqaj përse i mbante ato dosje në zyrën e tij dhe ai tha se “janë dosjet të mia”, por nuk dha shpjegime se pse ato dosje që duhet të ishin në arkivën e ministrisë së Shëndetësisë janë në zyrën e tij.