UMBERTO EKO – italiani “qytetar i botës”, që me “punë kalamanjsh”, “kur e mori seriozisht” u bë i përbotshëm.

 

U largua nga jeta në moshën 84 vjeçare shkrimtari dhe filozofi italian Umberto Eko. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21.30, të së premtes, 19 të shkurtit, në shtëpinë e tij, siç njofton “La Republica”, bazuar në të dhënat e familjes. Shkrimtari italian me famë botërore, që rronte në Milano, vuante nga kanceri. Ai e mbaroi.
Lamtumira e fundit njeriut të shquar të letrave dhe mendimit do t’i jepet javës së ardhshme, të martën, tek “Kastello Sforcesko” e Milanos. Zgjodhi vetë për ndarjen një kështjellë monumentale, në vend të kishës, sepse sipas redaktorit të tij të gjithëhershëm, Mario Andeoze, “ishte thellësisht ateist, gjithë jetës”. Siç duket, ngaqë u ngjit vetë në qiejt, nuk kishte nevojë për ndihmën e etërve të shenjtë dhe të ëngjëjve.
Ardhur në jetë në Alesandria, në veri të Italisë, më 5janar 1932, studioi filozofi në Universitetin e Torinos. Për t’u bërë i përbotshëm në “shkencën e mendimit”.
Ndërsa u afroheshe të 50-tave, Eko njohu sukses të papritur me romanin e tij të parë, “Emri i trëndafilit”, që u botua më 1980 dhe shiti miliona kopje, pasi u përkthye në 43 gjuhë të botës. U transferua në ekranin e madh nga regjisori frëng Zhan Zhak Ano, me protagonist Son Konerin, në rolin e Guljelmit, ish gjykatës i shenjtë, që merr përsipër të hetojë vdekjen e dyshimtë të një murgu, në një manastir të Italisë veriore.
“Umberto Eko, njëri nga intelektualët më të famshëm italianë, është i vdekur”, ky është titulli rreth lajmit i “Corriere della Sera”. “Umberto Eko ishte një prezencë e rëndësishme e jetës politike italine të 50 viteve të fundit, por emri i tij mbetet pazgjidhshmërisht i lidhur, në shkallë ndërkombëtare, me suksesin e jashtëzakonshëm të romanit të tij “Emri i trëndafilit” – vazhdon “Corriere della Sera”. “Bota humbi njërin nga njerëzit më të rëndësishëm të qytetërimit modern”, rezymon ky organ i rëndësishëm i medias italiane.
Umberto Eko, bashkë me emra të tjerë të njohur të letërsisë italiane kishin vendosur gjatë nëntorit të kaluar të tërhiqen nga Shtëpia historike Botuese “Bompiani”, e blerë tani së fundi nga simotra e saj “Mondadori”, e interesave të familjes Berluskoni, për t’iu akorduar Entit të ri të pavarur Botues “La nave di Teseo”. Ngaqë, sipas tyre, mendimi i lirë nuk mund të kushtëzohet prej asgjëje. Elisabeta Sigarbi, titullarja e këtij Enti Botues, njëri prej themeluesve të së cilit ishte vitin e kaluar edhe Eko, tha -për ANSA-n, se në majin e ardhshëm do të dalë nga shtypi libri i tij i fundit, shkrime publicistike dhe ese, të periudhës 2000-2015, botuar tek “L’Espresso”, me theks shoqëror.
Poliglot, bashkëshort i një gjermaneje dhe “qytetar i botës”, Eko ligjëroi në shumë universitete, kryesisht në Bolonjë, ku kishte katedrën e vet të semantikës gjer në tetorin e 2007-ës, kur doli në pension.
Është rrëfyer se u mor vonë me letërsinë, ngaqë e quante shkrimin e romaneve një “punë kalamanjsh”, ndaj dhe nuk e merrte seriozisht.
Pas “Emrit të trëndafilit” botoi ndër të tjera “Ishulli i ditës së kaluar” (1994), “Flaka misterioze e mbretëreshës Loana” (2004) dhe romani i fundmë “Numri zero” (2014), ku trajton tentakulat e medias së Apenineve, që kishin mbërthyer për fyti shoqërinë italiane të viteve 90-të.
Shkroi ndërkohë me qindra ese, shkrime kritike, sprova filozofike, duke dëshmuar gjithmonë nivel botëror në mendim dhe shprehje. Në “tornon” e tij të fjalës dhe mendimit morën trajtë të përkryer zbulimet dhe komentet mahnitëse për poetikën e Xhojsit, guximin e Xhejms Bondit, estetikën mesjetare, historinë e së bukurës, por dhe të shëmtuarës. Bëri filozofi dhe stetikë të shkallës së lartë me kuptueshmërinë më efikase. Askush si ai.
Eko, që nuk e fshehu kurrë se i takonte Të Majtës, nuk u mbyll kurrë në një “kështjellë prej xhami”. Vazhdonte të shkruante vazhdimisht në rubrikën e vet tek “L’Espresso”, duke mos iu shmangur kurrë gjykimit të problemeve aktuale shoqërore. Gjithmonë vështronte me një sy kritik shoqërinë moderne, ku edhe vetë bënte pjesë.
“Faqet internetike të rrjeteve sociale u dhanë mundësi shprehjeje legjoneve të idiotëve, që dikur flisnin vetëm kafeneve, pasi kishin zbrazur ndonjë kupë vere, pa dëmtuar shoqërinë. I detyronim menjëherë të pushonin, por sot kanë të njejtën mundësi shprehjeje me ata që fitojnë Nobelin. Rrojmë ofensivën e idiotëve”, ka thënë Eko, sipas gazetës “Messaggero”.
Kush nuk e kuptoi mendimin e mësipërm? Kush mund ta kundërshtojë? Natyrisht, vetëm idiotët!

_____
Nga Grigor JOVANI
(Marrë nga “Pegasi”, 2016)