Nga Teuta TOSKA

Ka disa fjalë që i shpëtuan diktatit të dhunshëm të njeriut, censurës më të egër, për shkak të një veçorie që fjala ka: desemantizimit apo shkuptimësimit të pjesëve të veta. Më thjeshtë, fjalë që dikur kanë qenë afër, bashkohen e ngjiten (përngjiten) në rrjedhë të kohërave në gojët e njerëzve, në ujërat e ligjërimit të gjallë, dhe për mendjen e njerëzve ato fjalë pushojnë së qeni më vete dhe tani bëhen një gjë tjetër, një realitet tjetër. Prej kësaj veçorie është ruajtur “Zoti” në ndajfoljen e përngjitur “sidozot”. Fjala është ruajtur edhe në fjalorin më të madh të deritanishëm të shqipes, por fort jofetar, atë të vitit 1980.
Leksikologu e ka përshkruar kështu kuptimin e saj “siç është, si për shembull, fjala vjen”. Mirëpo shembulli i zgjedhur për ilustrim më tregon se kemi të bëjmë me një lutje të vogël, me një bekim, që folësi që po e përdor, do t’ia japë asaj/atij për të cilën po flet.
Shembulli: “Një shtëpi sidozot ajo atje.”
A e dalloni lutjen dhe bekimin e vogël, të ndryrë në një ndajfolje të rrallë?
Ajo shtëpi, që qoftë si do Zoti të jetë ajo shtëpi!
Lutja dhe bekimi është “Qoftë si do Zoti të jetë”.
Kjo fjalë më tregon se shpirti besimtar i kësaj gjuhe dhe i këtij populli nuk është shuar asnjëherë. Krijimi i kësaj fjale më tregon qindra vite përdorimi të kësaj lutjeje, bekimi, eufemizmi, për të ruajtur dhe për të nderuar atë për të cilën po e përmend me gojën tënde.
Sot, me rastin e Ditës Kombëtare të Gjuhës Amtare, sidozot gjuha jonë është thesari më i madh i shpirtit tonë. Si e do Zoti atë!

_____

P.s. Tani që po e mendoj, unë vetë ndajfoljen do ta shkruaj “sidoZot”