Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Para nisjes në SHBA ministrja e Jashtme Olta Xhaçka deklaroi në A2 se grupi i Evropës Lindore ku bën pjesë vendi ynë, ka vendosur në mënyrë konsensuale për të mbështetur Shqipërinë për një mandat 2-vjeçar në KS të OKB-së.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.