Një këshilltar i qeverisë ukrainase ka deklaruar se pret që lufta të përfundojë jo më vonë se deri në fillim të majit, kur Rusisë t’i mbarojnë burimet për të sulmuar fqinjin e saj.

“Unë mendoj se jo më vonë se në maj, në fillim të majit, ne duhet të kemi një marrëveshje paqeje”, u shpreh Oleksiy Arestovich, një këshilltar i shefit të kabinetit të presidentit ukrainas, në një deklaratë të hënën vonë.

Ai përshkroi dy rezultate të mundshme në muajt në vijim.

“Ose do të arrihet një marrëveshje paqeje shumë shpejt, brenda një ose dy javësh, me tërheqjen e trupave dhe gjithçka, ose do të ketë një përpjekje për të bashkuar disa sirianë për një raund të dytë dhe, kur t’i bluajmë edhe ata, do të kemi një marrëveshje deri në mes të prillit ose në fund të prillit”, tha ai. Arestovich nuk është i përfshirë personalisht në bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë.

Pentagoni kishte pohuar më herët se Rusia po përpiqet të rekrutojë sirianë për të luftuar në Ukrainë, edhe pse kjo nuk është verifikuar.

“Rusia ka humbur deri tani 13 500 trupa”

Nga 24 shkurti deri më 15 mars, humbjet luftarake të ushtrisë ruse janë afërsisht 13 500 trupa, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i cili postoi përditësimin e luftës në Facebook.

”Rusia ka humbur edhe 404 tanke, 1 279 automjete të blinduara luftarake, 150 sisteme artilerie, 64 MLRS, 36 njësi të mbrojtjes ajrore, 81 avionë, 95 helikopterë, 640 automjete, tri anije, 60 tankera me karburant dhe nëntë tanke të nivelit taktik UAV”, sipas shtabit ukrainas.

Më 24 shkurt, presidenti rus Putin i shpalli luftë Ukrainës dhe nisi një pushtim në shkallë të gjerë.

Trupat ruse kanë bombarduar dhe shkatërruar infrastrukturën si dhe kanë kryer bombardime masive të zonave të banuara të qyteteve të Ukrainës duke përdorur artileri, MLRS dhe raketa balistike.