Nga Blerina SHALARI

Klani bunker e ka vjedhur bukurinë:
Ti miku im, koleg, muzikant, kompozitor, aktor, regjizor, skenarist, skenograf, je i talentuar, sa të gjithë e dinë se je i tillë, por vetëm pse e dinë këtë, ti je kaq i braktisur, kaq i harruar, kaq i paftuar në asnjë eveniment, njësoj sikur të mos ishe, dhe kjo sepse ti nuk bën pjesë tek klani. Ti ke pasion, ti transmeton emocion, edhe sikur të luash me 5 veta në sallë, edhe sikur të këndosh me sallën bosh, edhe sikur të luash në piano në shtëpi, ti njësoj e jep shpirtin, por ke një fatkeqësi, nuk je pjesë e klanit.
Ti ke më tepër se një prirje, më tepër se një talent, më tepër se një penë, më tepër se një mendim, shumë shumë më tepër, je dhe i sinqertë, por s’e kupton ende, se ti s’je pjesë e klanit.
Ti krijon në heshtje, artin tënd, ishullin tënd idealist, kaq të pastër, kaq të qelqtë, të frymëzuar prej pasionit, prej emocionit, të dhimbshëm prej talentit, por je në një ishull të vetmuar, se nuk je pjesë e klanit.
Ti me talent, me pasion, me emocion, me fuqi, me shpirt, ke forcë, të çash përpara, ta bësh edhe gurin të flasë, të këndojë, por ç’e do: Klani nuk ta njeh forcën, se nuk je pjesë e tij.
Dhe, më në fund, të gjithë shkojnë pas klanit, hapësirat, liritë, mediokrit, të paaftët, xhelozët, intrigantët, ata që flasin në vesh, luftëtarët e nëndheshëm, idiotët, të pasinqertët, ata që abuzojnë me emrin, me ekranin, me mikrofonin, me skenën, etj, etj.
Këta të gjithë nuk janë tjetër veçse vjedhës të bukurisë.
Ata nuk janë, por ngjajnë të bukur.
Ata ngjajnë të kohës, të modës, trendy.
Ata s’lodhen fare, as nga puna, as nga talenti, as nga emocioni, se janë pjesë e klanit që vetëm ha bukuritë e dhuruara nga zoti.
Thonë: Po ke talent del mbi ujë, po mos ndoshta mund të ndodhë të dalësh mbi ujë si ndonjë shishe e hedhur para tridhjetë vjetësh, që i ka skaduar afati?
Po edhe ka gjasa të jetë kështu. Por mesazhi nga shishja talent, që plluskon me mundim ndonjë ditë kur të jetë përgjumur pakëz klani, vjen i fortë, por forca e tij zgjat sa ndezja dhe fikja e një cigareje. Po kush e pa dritën e saj?
Atë dritë e sheh ai, talenti, i vyrtytshmi, fisniku, që s’e shet vehten te klani. Ai këndon me vehten, thur vargje me vehten, reciton me vehten, dhe vehtja e dëgjon dhe lodhet.
Sa i fortë duket klani!!!