Afera me tenderat, ilaçet e skaduara dhe koncesioni i Sterilizimit

Koncesioni i Sterilizimit dhe abuzimet me tenderat rrezikojnë “t’i hanë kokën” drejtueses së Spitalit të Traumës Edlira Bode. Kompania që mori koncesionin e Sterilizimit ka bërë çfarë i ka dashur qejfi në këtë spital, duke përdoru ujin, dritat dhe gjithë ambientet e spitalit.

Për këtë arsye, por edhe pas gjetjes së shkeljeve të shumta me prokurimet, protezat dhe ilaçet, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar shkarkimin e saj nga detyra. Konkluzioni ka ardhur pas një auditmi të kryer së fundmi në këtë spital.

“Rekomandohet ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës për Znj. E. B., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i SUT-së: Në cilësinë e Titullarit të institucionit dhe njëkohësisht të Nëpunësit Autorizues nuk ka hartuar dhe miratuar gjurmën e auditit për monitorimin dhe zbatimin e kontratave përgjatë periudhës së ushtrimit të funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm brenda periudhës se auditimit, duke mos siguruar kontrollin e brendshëm kryesisht për të gjitha proceset ekonomiko financiare kryesisht për shërbimet e prokuruara dhe blerjet e barnave, materialeve të mjekimit dhe kryesisht të materialeve ortopedike. Duke vepruar në mospërputhje me përcaktimet e nenit 5 të ligjit Nr.10296, datë 8.7.2010 për menaxhimin financiar dhe kontrollin, kreun III, pikën 2 të Rregullores se brendshme te SUT nr.1195/3 datë 03.06.2022” – njofton KLSH.

Më tej thuhet se ka pasur shkelje në procedurën e prokurimit me objekt “Blerje materiale konsumi (implante ortopedike) për Shërbimin e Ortopedisë në SUT-2022”. Në cilësinë e miratuesit të raportit përmbledhës nr. 50/14 Prot. Datë 25.10.2022 të KVO, Bode ka kualifikuar operatorin “T.&L.” në kushtet kur nuk i plotësonte kërkesat e AK në lidhje me listën e paraqitjes së mostrave, duke vepruar në mospërputhje me kriterin 2.3 pika h në DST.

KLSH konstaton se në cilësinë e titullarit dhe nëpunësit autorizues te Spitalit Universitar te Traumës ka lejuar që krahas shërbimit të sterilizimit nga koncesionari Sani Service, në shërbimet Neurokirurgji, Salla e kirurgjisë plastike, Kabineti Maksilo Faciale dhe Reaminacion të SUT-së të përdoren autoklava sterilizuese, të cilat në inventarin e SUT gjenden 9 (nëntë) autoklava sterilizuese në vlerën totale 3,604,584 lekë, duke vepruar në kundërshtim me kushtet e kontratën koncesionare Nr. 1440/40 Prot., datë 24.12.2015.

Nga titullari i institucionit nuk është zhvilluar procedura për mënyrën e raportimit të ngjarjeve të padëshirueshme dhe marrjen e sinjaleve të alarmit nga pajisjet mjekësore si dhe njohjen e personelit mjekësor me këto procedura. Nga ana e titullarit nuk janë marrë masa për asgjësimin e pajisjeve mjekësore që janë jashtë përdorimit por ato qëndrojnë ne ambiente ku dëmtohet shëndeti i njeriut.”