Ronald Koeman beson te përmbysja e disavantazhit 4-1 në ndeshjen e parë të 1/8 finale në Champions, kundër PSG. Holandezi shpreson te mrekullia në kryeqytetin francez, por është i bindur se nuk do të jetë një detyrë e lehtë.

Ndjesitë – “Shpresojmë që gjithçka të jenë ndryshe nga ndeshja e parë. Gjithmonë ka jetë. Varet nga mënyra se si e fillojmë ndeshjen, nga energjia që vendosim në fushë, për t’ia komplikuar jetën kundërshtarit. Varet nga efektiviteti ynë. PSG provoi se kishte shumë potencial në ndeshjen e parë. Ne jemi një ekip, që gjithmonë krijojmë shanse. Duke pasur efektivitet optimal, asgjë nuk është e pamundur”.

Si shkohet në këtë ndeshje – “Unë mendoj se kemi pasur një moment të mirë në rezultate dhe lojë. Shkuarja në finale e Kupës së Mbretit, përmbysja ndaj Sevilla, na kanë dhënë besim. Sidoqoftë, nuk mund ta krahasoni përmbysjen ndaj Sevilla me këtë që na pret përpara. Përveç kësaj, PSG është një ekip i fortë, që aspiron më të mirën në Champions. Na duhet një ndeshje perfekte. Barça synon të fitojë në çdo ndeshje, shpresojmë se mund t’i komplikojmë gjërat për parizienët”.

Laporta dhe Leo – “Unë e di që presidenti ka një të kaluar pozitive me Messin dhe të tjerët. Gjithsesi, vetëm Leo mund të vendosë për të ardhmen e tij. Të gjithë te Barça duam që ai të vazhdojë. Laporta ka fituar dhe për klubin është shumë mirë të ketë një president si ai, që të punojë për t’i përmirësuar gjërat në këtë klub”.

Marrëdhënia me Laporta – “Ne jemi përshëndetur me njëri-tjetrin disa herë në të kaluarën. Unë, gjithashtu e njoh shumë mirë përmes Rijkaard, i cili e kishte atë si president. Ai më ka thënë se Laporta iu jep shumë besim lojtarëve të tij, është i përfshirë në rolin e tij për të ndihmuar trajnerët dhe skuadrën. Gjithçka varet nga rezultatet. Ai e nisi mirë, na tha disa fjalë inkurajuese në dhomën e zhveshjes. Duhet të vazhdojmë në atë rrugë dhe nesër ta tregojmë veten”.

A ka shanse përmbysjeje – “Do të jetë shumë e komplikuar për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë. Ne luajmë kundër PSG, jo kundër një ekipi dosido. Duhet një ndeshje perfekte, e përsëris. Varet shumë nga vetja jonë. Është gjithmonë ndryshe të kesh një rezultat si ai ndaj Sevilla sesa një 1-4. Është mision i komplikuar në Paris, por asgjë e pamundur. Ne e dimë që jemi Barça”.

Gjashtë mbrojtës në listë – “E kam formacionin në kokën time. Ne kemi një bisedë nesër dhe do ta zbuloj. Me këta 20 lojtarë që kemi në dispozicion, mund të përshtatemi në çdo modul”.

Messi, vendimtar – “Nëse mendojmë të jemi në gjendje të kthehemi, kemi nevojë për ndonjë lojtar në nivelin e tij më të mirë. Nëse jemi të aftë dhe Leo është i aftë të bëjë një nga lojërat më të mira, gjithçka është e mundur. Kjo nuk ka synim për t’i shtuar atij presionin. E gjithë skuadra duhet të jetë në më të mirën e vet. Duhet të jemi edhe me fat. Varet nga fillimi i lojës, nëse jemi në gjendje t’i mbizotërojmë dhe t’i bëjmë presion kundërshtarit”.

Në Francë flitet për përmbysjen – “Unë e njoh mjaftueshëm trajnerin e tyre dhe ai e përgatit ekipin e tij në mënyrën më të mirë. Ata, sigurisht nuk mendojnë se do të jetë e lehtë. Ne duhet të luajmë ndeshjen tonë. Parisienët kanë besimin e tyre, janë në rrugën e duhur me trajnerin e ri”.