Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur për hetimin e kushtetueshmërisë së veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, po shkon drejt propozimit në seancë plenare të shkarkimit të tij.

Burime per mediat Si thonë se deri më tani, nga diskutimet publike në mbledhjet e këtij Komisionit dhe nga diskutimet formale jopublike mes anëtarëve ka një vendim thuajse unanim të tyre përsa i përket bindjes së Presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Po ashtu, thuajse unanim, thonë burimet, me gjasë do të jetë edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e Presidentit Meta.

Pika që ka bindur më shumë anëtarët e Komisionit janë dy. Së pari, reagimi i Presidentit Ilir Meta pas shpalljes si “i padëshirueshëm” nga SHBA për Sali Berishën dhe rrethin e tij të ngushtë familjar dhe raportet e dy ekspertëve konstitucionalistë e ligjorë, Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri.

Komisioni pritet që brenda javës të mbyllë veprimtarinë e tij. Ditën e hënë, Komisioni mbylli procesin e mbledhjes së provave, që sipas kërkesës së 49 deputetëve socialistë përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës. Nëse propozohet shkarkimi, atëherë ai duhet të miratohet në seancë plenare nga të paktën 94 deputetë dhe më pas të kalojë për të marrë vulën përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.

PS i ka këto vota me përbërjen e Kuvendit aktual, por mbetet për t’u parë nëse propozimi hipotetik i Komisionit për shkarkimin e Metës do të kalojë në seancë plenare me këtë Kuvend, apo jo. Për Presidentin Ilir Meta, Komisioni i ngritur është ilegjitim dhe antikushtetues, duke refuzuar daljen para tij.

Provat e administruara nga Komisioni

Pjesa më e madhe e materialeve të administruara janë materiale informuese dhe formale, që i shërbejnë Komisionit për të zbatuar procedurën kushtetuese e ligjore që kërkon ky proces.

Mes provave fizike e reale, kreu i këtij Komisioni, Alket Hyseni citoi 37 CD me materiale të marra nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, ku janë të pasqyruar të gjitha deklaratat e Presidentit para, gjatë dhe pas 25 prillit, që në vlerësimin e 49 deputetëve nismëtarë për shkarkimin e Metës bien ndesh me rolin e tij mbi palët.

Veç tyre, Komisioni ka administruar si prova edhe postime me foto, video dhe tekst të Presidentit në rrjetet sociale. Prova tjetër është korrespondenca e Presidentit me Gjykatën Kushtetuese, që anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar e interpretojnë si shantazh të tij ndaj kësaj gjykate.

Të dhënat janë mbledhur edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga SPAK në lidhje me kallëzimet për krimet zgjedhore.

Komisioni ka administruar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe një informacion të klasifikuar si sekret nga ana e Policisë së Shtetit, nën dyshimet se Presidenti Ilir Meta mund të jetë takuar me eksponentë të Agimit të Artë.

Informacion është marrë edhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura prej kësaj të fundit për përplasjen në lidhje me zyrat e Frymës së Re Demokratike si dhe raste të shkarkimit të Presidentit në Letoni dhe vende të tjera europian.

Si provë janë administruar edhe dhënia e titujve, dekoratave, procedurave dhe dekreteve të shtetësisë së dhëna nga ana e Presidentit Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

Gjithashtu, në fund Komisioni ka administruar si provë edhe dy raportet e dhëna nga dy ekspertët ligjorë, Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri. Komisioni kërkoi ndihmën e dy ekspertëve konstitucionalistë nëse në këndvështrimin e tyre shkeljet kushtetuese të Presidentit klasifikohen si të rënda dhe justifikuese për shkarkimin e tij, apo jo.

Një përgjigje me “po”, ose “jo” ekspertët thanë se nuk mund ta jepnin, por përmes shembujve nga Moldavia, Koreja e Jugut, Polonia dhe interpretimet te gjykatave kushtetuese e Komisionit të Venecias ndihmuan anëtarët e Komisionit që të vlerësonin vetë masën e këtyre shkeljeve.

“Në një republikë parlamentare, qasja e Presidentit duhet të jetë neutrale në mënyrë që të ndërmjetësojë krizat në raste të caktuara”, tha eksperti, Erind Mërkuri.

Mërkuri tha se në kuptimin e ngushtë të fjalës, Presidenti nuk është garant i Kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese.

“Presidenti është garant i Kushtetutës si çdo institucion tjetër në Shqipëri. Se kush duhet të jetë garant është një debat i vjetër. Por, në kuptimin e gjerë jemi të gjithë garantë të Kushtetutës, në kuptimin e ngushtë garante e Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Në lidhje me paanësinë në zgjedhje, eksperti Mërkuri solli një vendim të Gjykatës Kushtetuese koreano-jugore.

“As fakti që Presidenti është një person publik i një natyre politike, që zgjidhet dhe mbështetet nga një parti dhe as fakti që lejohen disa aktivitete politike dhe partiake të Presidentit nuk mund të shërbejnë si bazë e vlefshme për mohimin e detyrimit të Presidentit për të respektuar neutralitetin politik në lidhje me zgjedhjet”, tha Mërkuri.